AKTUALITET, 1 Tetor 2025, 11:17

Kandidati për Tiranë, negociatorët e PD takohen me partinë e Shehajt/ Kapri: Nuk kemi kushte për emrin, kemi bërë propozimin tonë

Kandidati për Tiranë, negociatorët e PD takohen me partinë e

Grupi negociator i Partisë Demokratike, ka vijuar sot me takimet me partitë e tjera opozitare me qëllim përcaktimin e një kandidati të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme lokale që pritet të zhvillohen për Bashkinë e Tiranës.

Sot përfaqësuesit e PD-së, janë takuar me palë të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Partisë Mundësia.

Nga ambientet e hotelit ku është mbajtur takimi, deputeti i Partisë Mundësia, ka folur për mediat duke theksuar se e rëndësishme që këto negociata të përfundojnë me sukses, është që emri i personit që do të përfaqësojë opozitën, të jetë një personazh me integritet dhe i distancuar plotësisht nga çdo akuzë apo çdo formë tjetër që cënon profilin politik dhe më tej të individit.

“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut.

Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.

Kapri u shpreh se një propozim ka ardhur nga pala e tyre, që nga demokratët mesa duket nuk është refuzuar, por ende nuk ka një emër konkret apo nëse kandidati do të jetë nga brenda PD-së apo do të dakordësohet dhe nga radhët e partive të tjera opozitare.