TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kamala Harris ka mbajtur fjalimin në Howard University, pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale ndaj Donald Trump.
Ajo tha se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit.
"Kam folur me Presidentin e zgjedhur Trump dhe e kam uruar për fitoren e tij. Ne do të angazhohemi në transferimin paqësor të pushtetit. Kjo e dallon një demokraci nga monarkitë dhe nga tiranitë", tha Harris.
Ajo iu drejtua mbështetësve duke u thënë që të vijojnë luftën dhe angazhimin për liri dhe të mos dorëzohen, duke lënë të hapur mundësinë që projekti i saj të vijojë, ndoshta për të garuar sërish në të ardhmen.
"Zemra ime sot është e mbushur plotë me mirënjohje për besimin që ju më dhatë. E mbushur me dashuri për vendin tonë, por edhe me vendosmëri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai për të cilin luftuam. Por drita e premtimit amerikan do të ndriçojë gjithmonë, për sa kohë ne nuk dorëzohemi", tha zv.Presidentja.
Harris përmendi gjatë fjalimit disa nga çështjet kryesore të fushatës së saj, duke u ndalur te e drejta e grave për të vendosur për trupin e tyre. Ajo tha se lufta për lirinë do të vijojë dhe ajo do të jetë në forma të ndryshme edhe "të heshtura".
"Për të gjithë të rinjtë që po më ndjekin, është normale të ndiheni të mërzitur dhe zhgënjyer. Une kam thënë shpesh se kur ne luftojmë, fitojmë! Ndonjëherë kjo kërkon kohë, por nuk do të thotë se ne nuk do të fitojmë. Mos u dorëzoni! Ju keni fuqi. Mos i dëgjoni ata që ju thonë se gjërat janë të pamundura, sepse nuk janë arritur më parë. Ju keni kapacitetin të bëni gjëra të jashtëzakonshme", tha ajo.
Harris i humbi zgjedhjet duke mos ia dalë të bëhet Presidentja e parë grua e SHBA-ve. Ajo humbi në shtetet kyçe, por gjithashtu humbi votën popullore, duke rikthyer në Presidencë Donald Trump, me të cilin ka dallime të thella për shumë çështje, të cilat e kanë polarizuar ndjeshëm shoqërinë amerikane.