AKTUALITET, 7 Korrik 2025, 13:09

Ka ndonjë 'aleancë' mes ish bashkëshortit e SPAK? Kryemadhi: S’më intereson fare çfarë thotë Meta...!

Ka ndonjë 'aleancë' mes ish bashkëshortit e SPAK?

Monika Kryemadhi jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është pyetur nga gazetarët lidhur me ndonjë “aleancë” të mundshme të ish-bashkëshortit të saj Ilir Metës dhe Prokurorisë së Posaçme, me qëllim rëndimin e situatës së saj ligjore.

Kryemadhi u shpreh se Meta është i izoluar dhe informohet nga Tedi Blushi, i cili është dhe i vetmi person me të cilin presidenti i Partisë së Lirisë ka komunikim. Sipas ish-bashkëshortes së Metës ky i fundit vendoset në dijeni vetëm “për gjërat që i intereson grupit të njerëzve përreth tij”.

Ajo shtoi se nuk i “intereson më fare se çfarë mendon, thotë apo bën Meta”, teksa theksoi më tej se ndihet e qetë në ndërgjegjen e saj.

“Meta informohet vetëm me gjërat që i intereson grupit të tij. Nuk më intereson më çfarë mendon zoti Meta. Nuk kam asnjë problem dhe kompleks. Nëse unë kam bërë diçka për juve është gabim për mua nuk është gabim hajde ta diskutojmë. Sa i përket asaj që thatë më parë i kam kërkuar bankës që të më japë shpenzimet”, tha Kryemadhi jashtë SPAK.

“Nuk më intereson më se çfarë thotë z.Meta, jam e qetë në ndërgjegjen time, nuk kam asnjë lloj problemi dhe kompleksi. Nëse kam bërë diçka që për ju është gabim, për mua nuk është gabim. Kam kërkuar bankës të më japë shpenzimet që rakordojnë me TIMS dhe gjërat e mua.

Kartat e mia i ka të gjitha prokuroria. Doli karta e Monikës që ishte dhe më përpara. Sa herë ka një lajm lifestyle i Monikës, prapa fshihet një trafik droge. Sigurisht më shumë klikohet lifestyle im. Shpresoj që në prehrat e Elbasanit, u djegshin të gjithë ata që e bëjnë dhe e stimulojnë”, -u shpreh Kryemadhi.