AKTUALITET, 20 Tetor 2024, 21:18

Jurgis Çyrbja në pranga me urdhër të SPAK, policia dhe agjentët e BKH kontrolle në Shijak

Jurgis Çyrbja në pranga me urdhër të SPAK, policia dhe

Policia dhe agjentët e BKH-së kanë kryer mbrëmjen e sotme kontrolle në Shijak, pas arrestimit me urdhër të SPAK të ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja.

Burime bëjnë me dije se Çyrbja momentalisht ndodhet në policinë e Durrësit, ku SPAK dhe BKH po kryen procedurat.

Çyrbja U arrestua në Durrës bashkë me Ahmet Mashën, i arrestuar dhe dënuar nga Gjykata e Durrësit në dhjetor të vitit 2013, për kontrabandë mallrash në portin e Durrës.

Sipas raportimeve, socialisti dyshohet se ka qenë edhe përdorues i aplikacionit SKY ECC dhe se ka pasur aty komunikime me personazhe të botës së krimit në Durrës.

Ndërkohë, në një njoftim zyrtar për mediat, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur akuzat ndaj tij.

Sipas SPAK, Çyrbja akuzohet për tre vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Mësohet se ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masen e sigurimit “arrest në burg”.

Ish-deputeti i PS, u vu në pranga pak ditë pasi dorëzoi mandatin dhe u mor i pandehur nga SPAK. Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Jurgis Çyrbja ka deklaruar se ky vendim nuk erdhi nga shqetësime të natyrës ligjore, por sepse kishte nevojë të kujdeset për shëndetin.