AKTUALITET, 25 Gusht 2025, 17:57

Iu akordua Urdhrin Shën Olga, Klasi i Parë/ Spiropali, Zelenskyt: Shenjë respekti për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës

Iu akordua Urdhrin Shën Olga, Klasi i Parë/ Spiropali, Zelenskyt:

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë ndaj Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për nderimin me Urdhrin “Shën Olga”, Klasi i Parë, akorduar në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Ajo theksoi se populli shqiptar dhe institucionet e vendit mbeten të bashkuar në mbështetje të Ukrainës, duke shtuar se kjo përkrahje buron nga besimi i thellë në vlerat e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit kombëtar.

Duke e konsideruar dekoratën si një nder të jashtëzakonshëm, Kryetarja e Kuvendit shprehu gjithashtu bindjen e saj se fitorja e Ukrainës është e pashmangshme.

Postimi i Kryeparlamentares Spiropali: 

I nderuar President Zelensky,
E përjetova me mirënjohje dhe emocion nderin e lartë të Urdhrit Shën Olga, Klasi i Parë, që është akorduar nga Shkëlqesia Juaj, Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Ky vlerësim në emrin tim është mbi të gjitha shenjë respekti për kontributin dhe qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë krah Ukrainës në këtë kohë të vështirë.
Populli shqiptar, Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe mbeten të bashkuar e të vendosur në mbështetje të Ukrainës. Ky qëndrim buron nga zemra e çdo qytetari shqiptar, nga besimi ynë tek liria, dinjiteti dhe e drejta e një kombi për të jetuar i pavarur dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.
Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një zë i qartë e i fuqishëm në mbrojtje të parimeve dhe vlerave demokratike euroatlantike. Ne do të vijojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës, ashtu si deri tani. Do të mbështesim të gjitha përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Presidentit të SHBA-së, udhëheqësve europianë, NATO-s dhe botës demokratike për ndalimin e luftës dhe vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë.
Ju falënderoj për nderin e jashtëzakonshëm.
Uroj dhe besoj vendosmërisht se shumë shpejt do të festojmë fitoren e plotë të Ukrainës ndaj agresorit.
Përzemërsisht,
Elisa Spiropali