AKTUALITET, 25 Tetor 2022, 16:10

“Qofsh i xhenetit”- Vrasja e Endri Mustafës, lokalizohet në Turqi autori i dyshuar i krimit të rëndë, Ibrahim Lici

“Qofsh i xhenetit”- Vrasja e Endri Mustafës, lokalizohet

Autori i dyshuar i vrasjes së Endri Mustafës është lokalizuar në Turqi. Burime për Gazetën Panorama bëjnë me dije se ai është fshehur atje dhe po bashkëpunohet mes policisë shqiptare dhe asaj turke për ta kapur.

Krimi i rëndë ndodhi me datën 15 maj të vitit 2021 dhe dyshohet se u krye nga 29-vjeçari Ibrahim Lici dhe i mituri, Ergys Malja, 15-vjeç.

Në dëshminë e dhënë në polici adoleshenti ka zbardhur detaje mbrëmjes së vrasjes së Endri Mustafës, ku tregoi se viktima iu lut Ibrahim Licit që të mos e vriste, por ky i fundit e qëlloi duke i thënë “qofsh i xhenetit”.

“Ergysi i ka dërguar në Instagram një foto kali, si kod që Endri të dilte jashtë për tu nisur në Livadhe.

Pasi janë takuar pas banesës së Endrit, janë nisur në këmbë drejt livadhit, duke kaluar rrugën e Bypassi-it dhe pasi kanë shkuar diku afër livadhit të Endri Mustafës, janë kthyer djathtas për të dalë në një vend tjetër të quajtur ‘Gropat e eskavatorit’, ku Ergysi i kishte thënë se ka “hashashin”.


Aty i ka dalë para Ibrahim Lici me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endri Mustafën, i cili është shtrirë në tokë duke i thënë “aman mos më vrit pash Zotin, se kam fëmijë”.

Ai e ka qëlluar përsëri, madje edhe në fytyrë, duke i thënë “qofsh i xhenetit”.

Pas kësaj Ibrahim Lici është larguar me motor, ndërsa Ergysi ka ikur me vrap për në shtëpi, andej nga ka ardhur.

Aty i ka treguar babait t tij se ka qenë në lagje dhe telefonin e kishte lënë aty në karikim.

Më pas ka fjetur gjumë dhe një ditë më pas ka luajtur me playstation fillimisht, me një kushëri të tij“, thuhet në dëshminë e siguruar nga “Panorama”.

Endri Mustafa u gjet tre ditë pas zhdukjes i ekzekutuar në zonën e Livades në lagjen Guerrile.

PO KUSH ËSHTË ENDRI MUSTAFA

I ndjeri ka pasur një të kaluar problematike, ku është dënuar për plagosje.

Ndërkaq në vitin 2016 ai do të përfundonte në prangat e Policisë së bashku me 5 persona të tjerë, pasi u kapën me një arsenal armësh e municionesh luftarake.

Atëhere Mustafa akuzohej për “Vjedhje me armë ”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftrake”.

Sipas policisë, gjatë kontrollit atëherë u sekuestruan 6 automjete të ndryshme, 2 anti-plumba, 305 copë fishekë model 56, 5 krehëra armë zjarri automatikë, 2 krehëra pistoletë  TT, 5 skafandra motori, 4 maska dhe 4 kapuçë me ngjyrë të zezë, 7 copë fishekë model 54, 3 gëzhoja model 54, rroba me mbetje si gjaku dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.

Emri i Endri Mustafës lakohet sërish në vitin 2020, ku ai shpallet në kërkim policor gjatë operacionit “Maranaj” për fajde.