AKTUALITET, 25 Maj 2024, 09:11

"Ishte fshehur në një furgon me targa angleze", kapet kokainë në portin e Durrësit, arrestohen dy persona

"Ishte fshehur në një furgon me targa angleze", kapet

Një sasi kokaine është gjetur nga policia kufitare në Portin e Durrësit dhe si rezultat janë arrestuar dy persona.

Burime bëjnë me dije se kokaine ishte e fshehur nën sediljet e shoferit të një furgoni, teksa bëhet fjalë për një sasi prej 7 kg. Lënda narkotike ishte e ndarë në 7 pako prej qese vakumi për të mos u nuhatur nga qentë e anti-drogës.

Mësohet se në pranga janë vënë shtetasit A. D.,, 38 vjeç dhe M. Ç., 39 vjeç ndërkohë që po vijojnë hetimet për të implikuar të tjerë në këtë rrjet trafiku lëndësh narkotike.

Furgoni ku ishte fshehur droga është me targa angleze dhe mësohet se i përket një kompanie private. Kompania në fjalë rezulton e regjistruar në Angli dhe për këtë është kërkuar bashkëpunimi me homologët atje.

Furgoni kryente rrugë të vazhdueshme në itinerarin Shqipëri-Itali-Angli dhe përgjithësisht dërgesa produktesh të ndryshme.

Burime bëjnë me dije se furgoni me targa angleze i është nënshtruar kontrollit me skaner, pasi kishte sinjalizime se brenda tij kishte sende të paligjshme.

Skaneri ka zbuluar 7 pakot me kokainë. Droga është gjetur në një ndarje që ndodhej në krahun e shoferit, e krijuar në formë xhepi fundor që të mos dallohej nga policia.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dyshohet se kokaina kishte si destinacion Anglinë.