AKTUALITET, 24 Maj 2024, 17:58

Aktivistja sulmohet me gurë në rrugë, Xheni Karaj: Ja dhuna që frymëzon Akil Pano dhe koalicioni i tij!

Aktivistja sulmohet me gurë në rrugë, Xheni Karaj: Ja dhuna

Aktivistja Xheni Karaj, është sulmuar me gurë nga disa adoleshentë ditën e sotme, në një akt të paprovokuar. 

Karaj deklaron se akte të tilla nxiten nga gjuha e urrejtjes dhe retorika kundër komunitetit LGBT+, e cila ka qenë mjaft e ashpër dhe denigruese ditët e fundit, pas një dasme simbolike mes dy grave në Bashkinë e Tiranës. 

Aktivistja thotë se persona si Pastori Akil Pano, janë frymëzues të dhunës me të cilën është përballur ditën e sotme. 

"Duke pritur rradhën jashtë Bankës BKT tek Pazari i Ri më godasin me gurë, këta kriminelë të vegjël që u larguan sapo i përmenda që do t'i bëj foto dhe do t'i raportoj në polici. Ky është brezi i ri që frymëzohet nga Akil Pano, Altin Goxhaj, Dorina Mema dhe Koalicioni i tyre i nxitjes së urrejtjes dhe dhunës ndaj qytetarëve që duan të jetojnë të lirë dhe me dinjitet jetën e tyre. 

Edukoni fëmijët me dashuri dhe respekt për vendin e tyre dhe të gjithë qytetarët e tij dhe jo me teori konspiracionesh dhe dhunë", shkruan Karaj në rrjetet sociale. 

Kujtojmë se pastori Akil Pano, organizoi një miting në Sheshin Skënderbej, ku u firmos një peticion kundër disa projektligjeve të qeverisë që lidhen me shëndetin riprodhues dhe kundër disa çështjeve që lidhen me komunitetin LGBT+, ndër të cilat edhe martesa mes personave të së njëjtës gjini. Ai ka bërë thirrje të përsëritur që qytetarët t'i bashkohen një grupimi të quajtur "Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës" për të "mbrojtur familjet". 

Retorika ndaj komunitetit LGBT+ ka qenë veçanërisht e ashpër ditët e fundit në rrjetet sociale, por tashmë duket se dhuna po zhvendoset edhe në rrugët e Shqipërisë. 

Aktivistja sulmohet me gurë në rrugë, Xheni Karaj: Ja dhuna