TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Eksperti i IT Besmir Semanaj komentoi në MCN Live vendimin e fundit të Prokurorisë që mediat shqiptare të mos publikojnë materialet e hakerave iranianë, duke theksuar se institucionet po luajnë rolin e strucit që fsheh kokën në rërë.
Semanaj vuri në dukje se situata po përshkallëzon, duke vënë në dukje se qëllimi final i Iranit është shkatërrimi i imazhit të Shqipërisë, derisa të nxisë trazira në vendin tonë dhe në rajon.
Semanaj thotë se duhet të kishte nisur një hetim që më herët dhe të kishte një sinqeritet nga ana e qeverisë dhe institucioneve, në raport me qytetarët dhe mediat.
“Institucionet po luajnë rolin e strucit duke fshehur kokën në rërë. Në kanalin e Telegramit të hakerave kemi 1000 shqiptarë që downlodojnë file-in, kemi mijëra shqiptarë që downlodojnë emaile.
Do të duhej një sinqeritet i institucioneve dhe t’u tregohej gazetarëve dhe qytetarëve çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Në një moment kur merret një vendim i paprecedentë, në fund të ditës është publike. Z. Kryeministër siguroi që të dhënat ishin të parëndësishme. Në krimin kibernetik nuk ekziston një terminologji e tillë. Dy ditë pas kësaj deklarate, del që këto të dhëna sigurojnë sigurinë kombëtare. Kur gazetarët dhe ekspertët e ngritëm këtë çështje, u ironizuam, përqeshëm.
Tani që të dhënat janë sensitive u kujtuan institucionet të bëjnë hetime. Hetimet duhet të kishin nisur shumë më herët dhe nuk do ishim këtu. Për mua nuk është diçka e re. Në një intervistë në janar të 2019-ës flisja për rrezikun e një sulmi terrorist, dhe pas 3 vitesh jemi përballë një sulmi terrorist. Nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur, ishte diçka e paralajmëruar. Pasi e keqja ndodhi, kujtohet që duhet të niset një hetim. Kjo është shumë e vonuar”.
Ndër të tjera Semanaj thotë se jemi në fazën e katërt të sulmit, atë të propagandës. Po ashtu eksperti shton se do të pranonte një vendim që media të mos publikonte materiale, vetëm nëse do të kishim një material shterues nga qeveria lidhur me sulmin.
“Shteti që ka të dhënat e shqiptarëve po i përdor si propagandë ndaj shtetit shqiptar. Sulmi nuk është ndaj qeverisë, por ndaj shtetit shqiptar. Kemi dalje informacioni një herë në javë për të mbajtur situatën të karikuar. Situata po eskalon.
Qëllimi final është shkatërrimi i imazhit të Shqipërisë, derisa të nxisë trazira në Shqipëri dhe rajon. Prandaj është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë transparente dhe e sinqertë me publikun. Duhet të ketë një manual si duhet të veprojmë tani e tutje, sepse të dhënat tona janë publike. Duhet të ndryshojë strategjia.
T’u jepet më shumë volum pune kompanive shqiptare, që të rriten dhe të kenë mundësi të ndihmojnë shtetin dhe Shqipërinë. Duhet të ketë investim në burimet njerëzore. 95 për qind e hakërrimeve janë social hacking. Hakerimi ndodhi jo nga teknologjia, por mos bërja update e një serveri, që është neglizhencë njerëzore.
Duhet të investojmë të burimet njerëzore, duke u dhënë status nëpunësi civil. Duhet të barazojmë rrogat e tyre me ato të tregut të lirë në Shqipëri. Një person që punon në privat merr dy tre fish dhe kjo demoralizon personat që punojnë në institucionet shtetërore.
Jemi në fazën e katërt të sulmit që është faza e propagandës. Do pranoja që asnjë media të mos fliste, kur qeveria të nxirrte një raport shterues, por për sa kohë qytetarët gënjehen, gazetarët gënjehen, e vetmja gjë që na ka mbetur është fjala e lirë.
Për sa kohë që kemi sisteme që s’funksionojnë siç duhet jemi akoma nën sulme. Kemi materiale të shkatërruara dhe sisteme që nuk aksesohen”.
Semanaj garanton qytetarët se bankat janë të sigurta sa i takon sulmeve kibernetike.
“Bankat s’kanë lidhje me infrastrukturën shtetërore. Nuk kemi pasur asnjë incident në sistemin bankar. Nuk besoj se do kemi të hakëruara sistemet bankare.
Dua t’i garantoj qytetarët që në këtë pikë nuk duhet të kenë frikë. I vetmi sulm që mund të ndodhë është të dalë jashtë sistemit për disa orë apo një ditë. Por besoj që jemi jashtëzakonisht të sigurtë, në standardet ndërkombëtare”.