AKTUALITET, 20 Shtator 2022, 10:29

Gjykata e Lartë pranon rekursin e SPAK për Luan Dacin

Gjykata e Lartë pranon rekursin e SPAK për Luan Dacin

Gjykata e Lartë ka pranuar pjesërisht rekursin për Luan Dacin, ish-anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). 

Gjykata e Lartë shqyrtoi në Dhomë Këshillimi rekursin e SPAK dhe vendosi pranimin, për ta kaluar çështjen në gjykim.

SPAK bëri rekurs kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që i hoqi gjyqtarit Daci masën e sigurisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori vendimin më 9 dhjetor 2021 për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Daci, duke pranuar kështu kërkesën e Komisionit Disiplinor. Magjistrati ishte i dënuar me 6 muaj burg, dënim ky që u konvertua me shërbim prove, pasi ish-anëtari i KPA-së, akuzohej për veprën penale të ‘Falsifikimit të dokumenteve’.

Hetimi ndaj Dacit nisi pas denoncimit në Prokurorinë e Posaçme, SPAK nga Besnik Cani. Ishin pikërisht këto hetime ato që bindën trupën e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Dacin.

Sipas SPAK dhe GJKKO, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së.

Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.