AKTUALITET, 16 Dhjetor 2024, 22:29

Inceneratori i Tiranës, Xama dhe Zhabina tregojnë ngërçin e SPAK me hetimet për Veliajn

Inceneratori i Tiranës, Xama dhe Zhabina tregojnë ngërçin

Gazetarët Ola Xama dhe Xhevahir Zhabina, të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, folën për hetimet për inceneratorin e Tiranës.

Ndërsa Xama u shpreh se nuk ka asnjë të akuzuar në nivelet e larta drejtuese të politikës në bashkinë e Tiranës dhe qeveri. Zhabina tha se Prokuroria e Posaçme nuk u ka dhënë përgjigje dy çështjeve të rëndësishme, siç janë letra e firmosur nga Veliaj që ka dhënë dakordësinë për të vazhduar inceneratorin, duke marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe nëse Ministria e Financave i ka patur paratë për të vazhduar me inceneratorin.

Pjesë nga biseda

Ola Xama: Që prej fillimit të hetimit çështja e inceneratorit u nda në tre pjesë dhe për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit janë duke u përmbyllur hetimet, ndërsa për Tiranën ka katër vite e gjysëm që hetimet vazhdojnë. Kemi komunikim akuze për ish-deputetin Alqi Bllako, ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, kemi akuza për disa drejtues të bashkisë së Tiranës dhe në korrik SPAK veproi ndaj disa përfaqësuesve të medias dhe ndaj kompanisë Integrated BVSPV, por asgjë sa i takon nivele të larta drejtuese të politikës, qoftë në bashkinë e Tiranës, qoftë në Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë Mjedisit, apo në qeveri.

Xhevahir Zhabina: Prokuroria e Posaçme ka disa fraksione sa i përket hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Procedimi mëmë është ai 255 dhe ai 255/1 është dërguar tashmë në gjykatë dhe të pandehur për këtë çështje janë 12 persona, ndër ta dy përfaqësuesit e bashkisë së Tiranës, Tualant Tushe dhe Namik Simixhiu që kanë qenë në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave dhe mbi ta rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës. Kjo çështje është në seancë paraprake dhe nuk dihet nëse do të shkojë për gjykim apo do t’i kthehet prokurorisë për plotësime të mëtejshme, ndërsa sa i përket pjesës tjetër të hetimeve kemi një fraksion tjetër të hetuar nga Prokuroria e Posaçme, ku në dijeninë time janë të pandehur 8-9 persona dhe mbi ta është ngritur akuza e grupit të strukturuar kriminal. Kemi edhe procedimin mëmë që mbahet aty nga prokurori i çështjes Dritan Premçi për të hetuar edhe persona të tjerë të dyshuar që ne i presim, të cilët mund të jenë zyrtarë të lartë që janë marrë me ngritjen e koncesionit të inceneratorit të Tiranës.
Deri tani Prokuroria e Posaçme nuk u ka dhënë përgjigje dy çështjeve; e para ajo letra e famshme e firmosur nga Veliaj që ka dhënë okejn për të vazhduar inceneratorin, duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak. Prokuroria ende nuk ka thënë nëse kjo është vepër penale e kryetarit të bashkisë së Tiranës apo jo dhe pjesa e dytë nëse Ministria e Financave në atë periudhë i ka patur ose jo paratë për të vazhduar me inceneratorin. Deri tani nuk dihet nëse SPAK-u do të ketë këllqe për të shkuar më lart, pra që të vendosë nëse shkresa e Veliajt është ligjore apo jo dhe nëse Ministria e Financave i ka patur këto para.