AKTUALITET, 22 Korrik 2023, 18:52

Inceneratorët/ “Rama ka qenë në dijeni”, Meta: Arratia i shton përgjegjësitë Ahmetajt, u ndje i tradhtuar. Të provohet se kush e kërcënon

Inceneratorët/ “Rama ka qenë në dijeni”, Meta:

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se arratisja i shton më shumë përgjegjësitë para ligjit ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt sa i takon çështjes së inceneratorëve. Sipas Metës largimi i këtij të fundit i shton përgjegjësitë, ndërsa tha se Ahmetaj nuk ka vepruar i vetëm, por çdo gjë e ka bërë në dijeni të plotë të Edi Ramës dhe se tani është ndjerë i tradhtuar dhe i pambrojtur.

Lidhur me reagimin e bërë nga Ahmetaj pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar, ai për News24 u shpreh se ish-zv. kryeministri duhet të provojë se kush e kërcënon.

“Duhet të përsëris një thënie të hershme timen, ‘ndërsa hetimet vazhdojnë me hapin e breshkës, korrupsioni dhe grabitja e taksapaguesve vazhdon me shpejtësinë e kangurit’. Ndërkohë që kemi disa persona që janë ndaluar, arrestuar apo shpallur në kërkim siç është rasti i fundit i arratisjes së zv. Kryeministrit, por afera vazhdon. Kjo do të thotë që paratë vazhdojnë dhe grabiten. Fakti që ne kemi sot figurën kryesore të 10 viteve në qeverinë e Edi Ramës, Ahmetajn, të arratisur, jo vetëm kaq por dhe që ndihet i kërcënuar sipas deklaratave të tij, është shumë i rëndë për vetë qeverinë dhe Edi Ramën. Nuk kemi të bëjmë me një figurë rastësore apo pa peshë në vendimmarrje, por me nr 2 real të 10 viteve të qeverisë së PS, i cili ka qenë përmbaruesi i të gjitha porosive të Ramës. I ishte deleguar pushtetin, një pjesë të madhe të kompetencave të Ministrisë së Financave, i ishte besuar Ahmetajt.

Ky është një akt i dënueshëm, vetë arratisja e një politikani. Mbetet për t’u parë në të ardhmen nëse ka bazueshmëri deklarimi i tij se po ikën se është i kërcënuar, dhe nga kush… Por në vlerësimin tim kjo është e pajustifikuar dhe rëndon me përgjegjësi Edi Ramën. Sa i takon çështjeve të tjera, Ahmetaj kudo që është duhet të përgjigjet për gjithë akuzat që pretendohet nga organi i akuzës. Kryeministri nuk dinte gjë?

Nuk e ka dëgjuar akoma ai që nuk ka incenerator në Tiranë? Nuk e di ai që drejtori i agjencisë së prokurimeve në kryeministrisë ia ka dhënë me firmë e vulë atij dhe Ëngjëll Agaçit, që procedurat për aferën e inceneratorëve, ishin të paligjshme? Ia ka dhënë me shkrim personi i tij. Dhe përsëri ato vendime të paligjshme kanë hyrë në mbledhje të qeverisë dhe pse janë kundërshtuar nga ish-ministri i Financave në atë kohë. Është shumë e qartë që kjo aferë udhëhiqet dhe garantohet nga Rama. Me këtë aferë janë blerë zgjedhjet në 2017, 2021, zgjedhjet lokale dhe financohen edhe shumë media që përpiqen të devijojnë thelbin e hetimeve, që kjo është aferë që vazhdon.”, tha Meta.