TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministria e Drejtësisë nuk është pajtuar me vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për të arkivuar ankesën ndaj prokurores së Prokurorisë së Shkodrës Elsa Gjeli.
Në një përgjigje zyrtare për Euronews Albania, ministria e Drejtësisë bën me dije se ka paraqitur ankim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në datën 24 shtator.
Ministria e Drejtësisë kërkoi më 10 korrik nisjen e procedimit disiplinor për prokuroren Gjeli, vendosi mosfillimin e procedimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren, për ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit.
Por kreu i ILD-së njoftoi ministrinë e drejtësisë më 19 shtator se nuk janë konstatuar elementë juridikë apo faktikë të cilët krijojnë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Elsa Gjeli.
Tashmë do të jetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë që do të vendosë për pretendimet e ekzekutivit dhe vendimarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Prokurorja Elsa Gjeli u sulmua nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik, lidhur me një vendim mosfillimi të një çështjeje penale ndaj një ndërtimi të pretenduar pa leje në fshatin Theth. Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, për të cilat tha se ishin vepër e një individi të “parritshëm nga krahu i ligjit.”
Kryeministri deklaroi atëherë se inspektoriati dhe policia e shtetit kishin konstatuar ndërhyrje brutale, por prokuroria nuk kishte shpallur në kërkim të menjëhershëm personin përgjegjës.
Qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, e cila në një reagim të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se, ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.
Në vijim, prokurorja Gjeli depozitoi në KLP kërkesën kundër deklaratave të kryeministrit që i cilësoi si fyerje dhe diskreditim të figurës së magjistratit. Sipas Gjelit, kryeministri e kishte ekspozuar ndaj një linçimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv.