AKTUALITET, 20 Korrik 2022, 10:57

I shpëtoi ndjekjes nga Guardia di Finanzia dhe rojës bregdetare shqiptare, gjendet e djegur “super-gomonia”. Ja çfarë thotë policia

I shpëtoi ndjekjes nga Guardia di Finanzia dhe rojës bregdetare

Gomonia e fuqishme me 4 motorë, e cila u ndoq ditën e djeshme nga Guardia di Finanzia dhe policia shqiptare është gjetur e djegur në zonën e Godullës. Mjeti rreth 8 metra i gjatë, me 4 motorë prej 300 kuaj fuqi secili dhe një radar të kushtueshëm, është konstatuar duke u djegur nga shërbimet e policisë, të cilët nuk kanë evidentuar asnjë person në kuvertë.

Ndjekja e gomones erdhi pas dyshimeve se në të gjendej lëndë narkotike për trafikim.

Mjeti lundrues u pikas në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës dhe dyshohet se ka ardhur nga ujërat greke. Pasi i shpëtoi ndjekjes policore, mjetit i është vënë flaka në zonën bregdetare të Godullës.

NJOFTIMI

Më datë 20.07.2022, rreth orën 05:30, në derdhje të hidrovorit të Adriatikut, në breg të detit, në Godull, Kurbin, është konstatuar nga shërbimet e Policisë, një mjet lundrues, duke u djegur.

Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës. Deri tani nuk është konstatuar asnjë person apo send i kundërligjshëm.

Grupi hetimor vazhdon hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.