TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria mund të zhvillojë segmentin e turizmit të zhytjes, që preferohet nga një numër i limituar individësh por të gatshëm të paguajnë mirë për këtë shërbim.
Për ta nxitur këtë treg duhet që së pari të krijohet besueshmëri mbi kushtet dhe certifikimet e individëve të angazhuar në këtë segment ndaj Banka Botërore dhe IFC kanë rekomanduar që ndoshta mbështetja financiare e dhënë nga qeveria do të ishte kyçe.
Sipas një raporti të këtyre dy institucioneve një certifikim ndërkombëtar shkon deri në 5 mijë euro si kosto çka është një barrë e rëndë për t’u paguar vetëm nga një operator apo një individ.
“Ka nevojë për më shumë instruktorë zhytjeje që të rekrutohen dhe trajnohen pasi ka hapësirë për operatorët e zhytjes që të hyjnë dhe të zgjerojnë këtë treg duke mundësuar konkurrencë dhe standarde më të larta. Zhytësit nuk do të vijnë në Shqipëri derisa të ketë instruktorë të certifikuar dhe pajisje me qira të përshtatshme, por bizneset e këtij sektori nuk mund të përballojnë këtë shpenzim deri në momentin që ka kërkesë të rritur për shërbimet e tyre. Kostoja e një certifikimi ndërkombëtar përfshirë akomodimin dhe fluturimet vlerësohet në 4-5 mijë euro në varësi të vendit dhe nivelit ekzistues të certifikatës së zhytësit. Incentivat financiare mund të ofrohen duke mbuluar një pjesë të kostos” thuhet në raport.
Tek lista e rekomandimeve sillen në vëmendje edhe disa elementë të tjerë të infrastrukturës dhe përgatitjes së burimeve njerëzore. Kështu në spitalin e Vlorës rekomandohet që të bëhet mundësimi i një dhome hiperbarike e cila do të mundësojë trajtimin e urgjencave për zhytësit.
Po kështu rekomandohet ndërtimi i një qendre trajnimi detar me punishte inxhinierike, një oborr i pajisur plotësisht për varkat, një pishinë (për të stërvitur në shpëtimin e jetës) dhe një simulator me pajisje zjarrfikëse.
Po kështu ndërtimi i qendrave të dedikuara për sportet ujore me infrastrukturë mbështetëse, duke përfshirë akomodim, për të ofruar aktivitete të shumta të sporteve ujore jo të motorizuara në një vendndodhje të vetme.