AKTUALITET, 13 Nëntor 2025, 11:00

'I papajtueshëm'/ Berisha kundërshton vendimin që e la në arrest shtëpie, Kushtetuesja cakton datën për shqyrtimin e padisë së kreut të PD

'I papajtueshëm'/ Berisha kundërshton vendimin që e la

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar datën 17 dhjetor, ora 10:00, për zhvillimin e seancës gjyqësore lidhur me padinë e paraqitur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Seanca do të zhvillohet pa praninë e palëve, mbi bazë të dokumenteve të depozituara nga avokatët dhe institucionet përkatëse.

Në padi, Berisha kërkon që të shpallet i papajtueshëm me Kushtetutën vendimi i marrë në shtator dhe dhjetor të vitit 2024, me të cilin ai u la në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese më 17 dhjetor pritet të ketë rëndësi të veçantë, pasi mund të ndikojë në vijimin e procedurave gjyqësore ndaj Berishës, i cili akuzohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e ish-kompleksit “Partizani”.

Kujtojmë se në vitin 2024, po Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë pjesërisht Sali Berishës në një padi ndaj masave të para të sigurisë ndaj tij, atë të detyrimit të paraqitjes dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit.

Asokohe “Kushtetuesja” shfuqizoi masën për ndalim jashtë vendit duke e konsideruar si cënim të proporcionalitetit.

Më 21 Tetor 2023, Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, arrestoi fillimisht Jamarbër Malltezin, ndërsa për Sali Berishën caktoi detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës për të mos dalë jashtë vendit.

Por më pas, për shkak se Berisha nuk respektoi detyrimin për t’u paraqitur, SPAK kërkoi masë arrest shtëpi për ish-Kryeministrin, kërkesë që u vendos nga GJKKO. Në nëntor të vitit 2024, GJKKO i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak” duke e lënë vetëm në detyrim paraqitjeje.

Kujtojmë se Berisha është marrë i pandehur për dosjen “Partizani”. Bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Berisha dhe Malltezi i kanë mohuar akuzat dhe pretendojnë se procesi ka motive politike.