AKTUALITET, 12 Nëntor 2025, 17:52

Atentati mafioz në Rinas/ Pamjet e reja, burra që vrapojnë të tmerruar nga të shtënat, si u siguruan autorët se ekzekutimi u krye

Atentati mafioz në Rinas/ Pamjet e reja, burra që vrapojnë

Pamjet e atentatit mafioz që i mori jetën Gilmando Danit mesditën e djeshme pranë aeroportit të Rinasit zbulojnë momente tmerri dhe paniku që nuk u vunë re menjëherë nga mediat. Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, sapo kishte mbërritur nga Barcelona dhe ishte në sediljen e pasagjerit të një makine Benz luksoze, kur autorë të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjasonin me ato të policisë hapën zjarr me kallashnikov.

Njëri prej tyre shihet duke zbritur nga makina, rimbushur armën dhe qëlluar sërish në drejtim të Danit. Pas breshërisë së plumbave, pamjet tregojnë qytetarë që vrapojnë për t’u larguar nga vendngjarja dhe automjete që largohen me shpejtësi, duke reflektuar panikun që përfshiu zonën.

Në atentat u plagos rëndë Muçi Shaljani, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (i njohur si ‘Sheqeri’), i cili ishte edhe shoferi i makinës. Autorët dyshohet se janë larguar me një Toyota Yaris me targa greke drejt Fushë Krujës, ndërsa mjeti i përdorur për vrasjen u gjet i djegur pak minuta më vonë në fshatin Halil.