TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se në buxhetin e ri do të përcaktohet një fond i veçantë për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale, duke e cilësuar këtë si një hap historik në sistemin shëndetësor shqiptar.
“Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën kanceri po bëhet si grip. Rastet janë gjithnjë e më të shpeshta dhe nuk kalon javë pa marrë një mesazh për dikë që papritur përballet me këtë sëmundje", tha Rama.
Ai pranoi se, pavarësisht përmirësimeve në Shërbimin Onkologjik, mbulimi me barna të rimbursueshme mbetet një sfidë serioze për pacientët onkologjikë.
“Janë barna që kushtojnë shumë, por siç ndodh në çdo familje kur hyn kjo sëmundje, askush nuk mendon për asgjë tjetër përveç luftës për jetën. Edhe ne, si qeveri, kemi detyrimin që çdo i sëmurë me kancer të mbështetet si njeriu ynë", shtoi ai.
Rama njoftoi gjithashtu se për herë të parë do të ngrihet Instituti Kombëtar i Tumoreve, një strukturë e re që do të fokusohet në trajtime të avancuara, kërkime shkencore dhe formim profesional për mjekët.
“Kemi vendosur që në Shqipëri të ngremë një institut kombëtar për tumoret – një nivel ekselence për studimet dhe trajtimet. Ky projekt do të udhëhiqet nga ministrja e Shëndetësisë dhe do të jetë një model i ri i kujdesit shëndetësor", deklaroi kryeministri.
Sipas tij, ky buxhet do të garantojë mbështetje të plotë për pacientët me kancer, duke përfshirë sigurimin e medikamenteve të domosdoshme dhe krijimin e kushteve për trajtime moderne brenda vendit.