AKTUALITET, 11 Dhjetor 2023, 13:24

I hetuar për deklarim të rremë të pasurisë, dërgohet në gjyq dosja për ish-prokurorin Petrit Fusha

I hetuar për deklarim të rremë të pasurisë,

Prokuroria e Durrësit njoftoi të hënën se përfundoi hetimet ndaj ish-shefit të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dhe e dërgoi çështjen për shqyrtim në gjykatë. Fusha akuzohet për veprën penale të “refuzimit për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive..”, i parashikuar nga neni 257/a paragrafi 2 i Kodit Penal dhe nëse shpallet fajtor, rrezikon një dënim nga gjobë deri në 3 vjet burg.

Hetimet për Fushën nisën në vitin 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkoi hetim lidhur me faktet e dala gjatë procesit të vetingut. Çështja u kalua në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2020, ndërsa vendimi për marrjen të pandehur u njoftua pas publikimit të një investigimi të BIRN mbi dënimin e vëllait të ish-prokurorit nga gjykata spanjolle me akuza të trafikut të narkotikëve dhe mungesën e hetimit të pasurive të krijuara në Shqipëri nga ky aktivitet.

Petrit Fusha pati një karrierë të shtrirë në tre dekada si prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2019, gjatë procesit të vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se dorëheqja e Fushës u bë pasi atij i kishte kaluar barra e provës. Nga raporti i DSIK-së rezultoi se Fusha nuk e kishte deklaruan përfshirjen në veprimtari të krimit të organizuar të vëllait.

Fusha drejton sot studion ligjore “Fusha & Partners” me aktivitet avokatinë dhe konsulencën, por edhe hotelerinë, turizmin dhe administrimin e pronave të familjes.

Njoftimi i Prokurorisë

Në funksion të hetimeve të procedimit penal nr. 2733/2019, në ngarkim të të pandehurit P.F., rezulton se janë përfunduar hetimet lidhur me akuzën “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë, i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pgr. 2, i Kodit Penal dhe në datën 05.12.2023 çështja i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për shqyrtim.

Shtetasi P. F., ka qenë me detyrën e prokurorit dhe në bazë të ligjit iu nënshtrua procesit të rivlerisimit.

Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, raporti me rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ për ish-prokurorin P.F., ku u kërkua të hetohet për faktet në kuadër të rivlerësimit kalimtar. Ky fakt ka shërbyer për regjistrimin e çështjes penale, në ngarkim të tij dhe më pas ka sjellë marjen e tij në cilësinë e të pandehurit.