TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Universitetet dhe kompanitë luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e inovacionit dhe kreativitetit njerëzor. Në frymën e Javës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit, Grupi BALFIN ka zyrtarizuar bashkëpunimin me Universitetin Politeknik të Tiranës, për të vlerësuar perspektiva të reja dhe zgjeruar mundësitë për studentët.
Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Andrea Maliqari dhe Drejtoresha Ekzekutive e Grupit BALFIN, Edlira Muka zhvilluan një takim dhe nënshkruan një memorandum bashkëpunimi i cili krijon hapësirën e nevojshme që kompanitë e Grupit BALFN të mbështesin Universitetin Politeknik të Tiranës për një proces akademik sa më cilësor për studentët dhe pedagogët, njëkohësisht edhe në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Edlira Muka theksoi se memorandumi i bashkëpunimit vjen pas disa përvojave pozitive me studentët e këtij institucioni të angazhuar në programin e praktikës dhe punësimit si dhe në projekte sociale, pjesë të programit B4Students, ndërtuar për të kontribuar në arsimin e lartë. “Ne jemi të angazhuar për të përfshirë teknologjitë dhe njohuritë më të reja në proceset tona të punës, dhe te të rinjtë shohim motivimin për të nxitur novacion. Nëpërmjet programit B4Students ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me universitetet dhe studentët, duke shkëmbyer njohuri, burime dhe ekspertizë, të cilat mund të çojnë në zgjidhje të reja novative.”
Si pjesë e memorandumit, Grupi BALFIN do të ofrojë praktika profesionale, bursa dhe grante për sipërmarrje dhe klube sociale të ngritura nga studentët, nëpërmjet programit B4Students. Bashkëpunimi do të zgjerohet gjithashtu në leksione të hapura nga ekspertët e Grupit BALFIN dhe kërkime të përbashkëta.
Rektori i këtij universiteti vlerësoi këtë moment të rëndësishëm për të njohur dhe diskutuar ide e nevoja që lidhin edhe më shumë universitetin me biznesin, një komponent ky i rëndësishëm në formimin e studentit. Ai shtoi se “pjesëmarrja në auditor e ekspertëve, bashkëpunimi për projekte kërkimore, si dhe angazhimi i studentëve në praktikë dhe projekte specifike kontribuojnë drejtpërdrejtë në formimin dhe eksperiencën e studentit.”
Universiteti Politeknik i Tiranës është institucioni i radhës me të cilin Grupi BALFIN nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, duke çuar një hap më tej angazhimin ndaj përmirësimit të edukimit, si një ndër shtyllat kryesore të përgjegjësisë së tij sociale. Që nga viti 2021, programi i tij i dedikuar, B4Students, mbështet aftësimin profesional të studentëve dhe sipërmarrjet novatore të tyre.