TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teksa sistemi gjyqësor gjendet në një ‘rrëmujë’ të plotë për shkak të reduktimit të gjykatave në rrethe, Qeveria ka vendosur t’i drejtohet e-maileve për të njoftuar palët. Më 16 korrik Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë disa ndryshime në Udhëzimin që rregullon njoftimin e palëve, duke shtuar se përmes rrugëve elektronike do vihen në dijeni për njoftimet gjyqësore palët, por edhe personat e tretë. Një ndryshim tjetër përcakton se punonjësi i gjykatës dokumenton dërgimin dhe marrësi duhet të konfirmojë marrjen e njoftimit brenda 5 ditësh. Me kalimin e këtij afati, njoftimi konsiderohet i kryer.
Në rast se vërtetohet nga punonjësi i gjykatës se pala, përfaqësuesi i saj, nëse ka një të tillë apo personi i tretë ka ndryshuar të dhënat elektronike të kontaktit dhe gjykata nuk është njoftuar për të dhënat e reja, në përputhje me detyrimin ligjor , pretendimet e tyre për pavlefshmërinë e njoftimit janë të papranueshme. Në këtë rast, njoftimi bëhet me shpallje publike, në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.
Ndryshimet në mënyrën e njoftimit të palëve apo personave të tretë të përfshirë në procese vijnë në një moment kur sistemi gjyqësor gjendet në mes të një riorganizimi mjaft problematik, i njohur si harta e re gjyqësore. Aplikimi i kësaj harte nisi në fillim të këtij viti me reduktimin e gjykatave të apelit, për të vijuar më tej me reduktimin e gjykatave të shkallëve të para.
Nga 1 korriku pritet të vijojë faza tjetër e reformës, që parashikon reduktimin e gjykatave administrative, proces që pritet të jetë shumë problematik sa i përket përplasjeve të biznesit e individëve kryesisht me administratën publike. Një prej problemeve më të mprehta ka të bëjë me transferimin fizik të dosjeve dhe dokumentacionit nga gjykatat që mbyllen drejt Tiranës apo në rrethet e tjera ku ato shkrihen. Vetëm reduktimi i gjykatave të apelit solli nevojën e rishortimit nga e para të më shumë se 32 mijë dosjeve, në një kohë që situata është edhe më problematike në gjykatat e tjera.