TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme dhe SPAK janë “përplasur” për çështjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është nën hetim për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit.
Në vendimin e arsyetuar, ku gjykata i komunikoi Beqajt masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”, gjyqtari Erjon Bani ka dalë kundër Prokurorinë e Posaçme, pasi pas shqyrtimit të akteve të dosjes ka konstatuar se ka vend për tu ngritur akuza të reja për ish-ministrin.
Në kushtet kur gjykata deklaroi se i kishte duart të lidhura për të caktuar për Beqajn një masë sigurie më të ashpër sesa ajo që kërkon prokuroria, lë të hapur mundësinë e ngritjes së akuzave të tjera për ish ministrin.
“Në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ilir Beqaj krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre”, arsyetohet në vendim, raporton News24.
Gjykata thekson se: “Gjyqtari i hetimit paraprak është i pavarur në vlerësimin e faktit dhe mund të bëjë një cilësim juridik të ndryshëm të faktit penal nga ai i prokurorisë për të vlerësuar rëndësin e faktit penal dhe të dënimit që mund të caktohet ndaj të dyshuarit në përfundim të gjykimit. Këtë vlerësim, gjykata e bën në mënyrë të pavarur pavarësisht faktin nëse prokurori ka bërë ndryshimin e cilësimit juridik, pasi gjykata nuk është e detyruar të mbaj parasysh qëndrimin e prokurorisë lidhur me cilësimin juridik të faktit”, argumentohet në vendim.
Gjyqtari Erjon Bani argumenton në vijim se: “gjykata pas administrimit të provave mund të konkludojë se jemi përpara një cilësimi juridik të gabuar të prokurorisë që në fazën e hetimit paraprak. Vlerësimi i drejtë i faktit penal nga gjykatë është detyrim i saj që rrjedh nga parimi i ligjshmërisë”.
Në këtë mënyrë, ai paralajmëron prokurorinë që kur çështja të dërgohet në gjykim paraprak pozita e ish-ministrit të Shëndetësisë mund të rëndohet.
Ilir Beqaj po hetohet për aferën e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 mln euro, për të cilën më herët janë arrestuar ish-zv. ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.