AKTUALITET, 23 Nëntor 2023, 23:55

“Është si dashuria!”/ Neritan Sejamini: Opozita mund të fitojë zgjedhjet, por…

“Është si dashuria!”/ Neritan Sejamini: Opozita mund

Analisti Neritan Sejamini, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, gjendjen aktuale të opozitës u shpreh se populli që votoi PD-në në vitin 2021 është aty dhe përveç 700 mijë votave që dha atëherë, janë edhe 200 mijë vota të atyre që nuk votojnë Ramën dhe partinë në pushtet. Sipas tij, po i pati opozita ato 200 mijë vota vjen në pushtet, sado presion të ketë dhe duhet punuar shumë për t’i fituar.

Biseda

Neritan Sejamini: Në vitin 2021 opozita mori 700 mijë vota. Populli aty është dhe ka nja 200 mijë të tjerë që nuk votojnë për Edi Ramën dhe PS-në dhe mund të votojnë për opozitën.
Çështja është a i ka këto vota sot opozita dhe a mund t’i shtojë? Dhe për këtë opozita nuk mund t’ia kërkojë popullit thjeshtë, ajo duhet ta bëjë si në dashuri, ta bësh të vijë te ty dhe të besojë se me ty jeta është më e mirë.

Andi Bushati: Dashuria ka vlerë vetëm në liri. Dashuri me çiften në kokë nuk zhvillohet dot.

Neritan Sejamini: Po pse thua që njerëzit kanë frikë të votojnë për PD-në?

Andi Bushati: Njerëzit kanë frikë të protestojnë.

Neritan Sejamini: Po për të votuar, votojnë për opozitën?

Andi Bushati: Jo pra se i thotë ai po nuk dorëzove...

Neritan Sejamini: Po 700 mijë njerëz votuan me një udhëheqës të vakët dhe fushatë problematike dhe morën 700 mijë vota në 2021, në kulmin e këtij represioni.

Andi Bushati: Ky regjim kënaqet me aq, të bëjë aq vota sa i duhet të qeverisë pa çarë kokën, nuk ka qëllim që të vdesë çdo zë.

Neritan Sejamini: Pyetja është: A i ka opozita me vete të gjithë ata persona që janë kundër Edi Ramës, se kjo është detyra e opozitës? Po i pati opozita vjen në pushtet, sado presion të ketë. Opozita këtë votë duhet ta bëjë votën e vet.

Problemi kryesor i opozitës është besueshmëria, sepse opozita ka treguar se nuk është e gatshme që të shkojë në luftë me të gjithë elitën. Opozita do të shkojë vetëm me Edi Ramën. Sot është botuar një artikull se si po rrëmbehet porti i Vlorës dhe nuk u ndje njeri nga opozita, as mediat e opozitës nuk e dhanë.

Flamur Noka: Berisha ka denoncuar disa herë Lucën.

Neritan Sejamini: Luca është i Ramës, ka disa të tjerë që nuk janë të Ramës, janë të të dyve.

Kur opozita të tregojë se është e gatshme të shkojë në luftë, me të gjithë elitën, edhe po të humbasë, por të vejë me oligarkët, me mediat që janë të pandershme, le të humbasë, por do t’i vejë gjithë Shqipëria nga pas.

Kurse opozita thotë Kushtetuta, jo oligarkia. Problemi i shqiptarëve sot është gjithë ky sistem i korruptuar. Sot ke një elitë që kontrollon pushtetin politik, ekonomik, NGO, mediat. Kur opozita të sakrifikohet në këtë luftë, të shpallë luftën me të gjithë, të vendosë disa parime morali, unë jam i bindur që të gjithë do t’i venë nga pas.