TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi më 9.9.2025, përmes vendimit nr.91, caktimin e masës “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit Besart Logu, me profesion avokat, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë është kërkuar pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të cilat mbështeten në prova, se personi nën hetim ka kryer veprën penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
Masa është ekzekutuar më 10.9.2025 me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në datën 27.11.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 242, mbi kallëzimin e shtetasit me iniciale S.C, për veprat penale:
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, (neni 319/ç i Kodit Penal);
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (neni 245/1 i Kodit Penal).
Nga hetimet proaktive, të cilat u kryen nga hetuesë të Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit, rezultoi se në datën 13.12.2024, i hetuari ka marrë shumën prej 8.000 (tetë mijë) euro, (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit). Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja kishte të bënte me veprat penale, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim“Fshehja e te ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a e 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.
Hetimet kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit të tij, S. C.. Ky premtim nuk është realizuar.