TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn, ka marë pjesë sot në konferencën rajonale të OSBE-së, ku ka folur mes të tjerash edhe për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të SPAK edhe Drejtorit të BKH-së!
Gjatë fjalës së saj, VanHorn theksoi se procesi i zëvendësimit të Altin Dumanit, duhet të jetë i paanshëm transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.
“SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur. Edhe SPAK-u i nënshtrohet ligjeve të Shqipërisë. Bazuar në ligj, Z. Dumani, sado efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet, sepse mandati i tij ka përfunduar. Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Z. Dumani duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme.
Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër. Shtetet e Bashkuara presin integritet në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm; ashtu siç presim për përzgjedhjen e Drejtorit të ardhshëm të BKH-së.”, tha ajo.
Gjatë fjalës së saj, VanHorn theksoi se lufta kundër organizatave kriminale dhe trafikimit të drogës është ndër prioritetet më të larta për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë. Ajo theksoi se të dyja minojnë sigurinë globale, paraqesin rreziqe për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve, si dhe kërcënojnë stabilitetin në mbarë botën.
“Grupet kriminale ballkanike janë madje edhe pranë Amerikës, pasi janë gjithnjë e më të përfshira në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut. Siç kanë treguar hetimet, kriminelët shqiptarë bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut – grupe që përmbytin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën me droga të paligjshme.
Krimi dhe drogat e paligjshme kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare dhe Presidenti Trump ka kërkuar që çdo politikë dhe dollar ndihme të çojnë përpara interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump gjithashtu ka udhëzuar qeverinë tonë të punojë drejt eliminimit të plotë të grupeve të krimit të organizuar, dhe ky është fokusi ynë. Për ta arritur këtë, ne do të thellojmë bashkëpunimin me qeveritë që përputhen me këtë nivel fokusi dhe angazhimi. Puna jonë do të bazohet në interesa të përbashkëta konkrete, jo në fraza boshe apo ideologji, siç ka theksuar Sekretari Rubio”, deklaroi ajo.