TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndërsa Policia e Korçës po vijon hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Bulgarec, ku trupi i 78-vjeçarit Gëzim Vija u gjet sot i pajetë brenda banesës dhe me plagë në kokë, mësohen edhe detajet e para rreth dinamikës dhe vetë viktimës.
Hetuesit po ndjekin linjën e dy pistave; aksident pas rënies dhe goditjes së kokës së të moshuarit dhe një vrasje e mundshme gjatë një konflikti apo tentative grabitjeje.
Ilia Gjatolli është fqinji i viktimës Gëzim Vija dhe tregon se si e njihte të moshuarin, por edhe rrethanat e mundshme.
“Unë isha në Korçë, kur arrita në fshat e mora vesh, më erdhi shumë keq. Fatkeqësi e madhe. Shumë njeri i mirë, kemi shumë vite që jemi komshinj, janë shumë njerëz të mirë edhe djemtë edhe si familje. Janë të respektuar. Nuk ka pasur konflikte me asnjë njeri”, rrëfeu ai.
Më tej shpjegon se kishte hyrje-dalje me viktimën dhe nuk i kishte treguar asnjë shqetësim apo problem.
“Kishim hyrje-dalje, nuk na kanë thënë asnjë shqetësim. S’kishte as probleme asgjë. Nuk e di për çfarë dyshohet, e mori ekspertiza, të verifikohet nëse është ngjarje aksidentale apo kriminale”, përfundoi ai.
Nga komunikimi zyrtar me policinë, konfirmohet se viktima ka një dëmtim në kokë.
Përveç një ngjarjeje me natyrë kriminale, një grabitje e mundshme apo konflikt, nuk përjashtohet as pista e një ngjarje aksidentale, që viktima mundet të jetë rrëzuar dhe goditur kokën duke i sjellë vdekjen.
Mëgjithatë, policia është duke hetuar në dy pista, atë të vrasjes dhe pistën e vdekjes aksidentale.
Gëzim Vija, 78 vjeç, i divorcuar dhe që jetonte vetëm prej 25 vitesh, u gjet i pajetë brenda banesës ditën e sotme (2 prill), teksa hetimet për dinamikën dhe shkaqet vijojnë. Vija ishte baba i katër fëmijëve, dy nga të cilët jetonin në emigracion.
Ekspertët do të dalin me përfundim zyrtar pas ekzaminimeve mjeko-ligjore në morg, teksa po hetohet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve.



