AKTUALITET, 2 Prill 2026, 12:21

35-vjetori i masakrës së 2 Prillit, Berisha në Shkodër: Përulemi para 4 martirëve! Rama, pasardhës i bllokmenëve hoxhistë! Ka përdorur pushtetin për të vjedhur gjithçka

35-vjetori i masakrës së 2 Prillit, Berisha në Shkodër:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të ngjarjes së 2 Prillit 1991, në nderim të katër martirëve të rënë në masakrën e fundit të komunizmit në vend. 

Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se përulen me respekt para veprës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut dhe Besnik Cekës, të cilët u vranë në protestën e 35 viteve më parë kundër Partisë Komuniste.

Berisha shtoi se ata “ranë në shesh për të mbetur përjetë të gjallë në zemrat tona, për t’u nderuar gjithmonë nga ata që nderojnë votën e lirë dhe lirinë.”

“35 vite më parë, vetëm dy ditë pas përfundimit të farsës elektorale, gjimnazistët e Shkodrës ndërprenë mësimin dhe u ulën mbi çantat e tyre në një formë proteste ndër më të qytetëruara, ndër më paqësoret. Ata protestuan në dëshpërim të thellë sepse diktatori i fundit komunist në Europë, partia e tij dhe zgjedhjet pluraliste pas pothuajse gjysmë shekulli, i shndërroi në një farsë zgjedhore.

Zhgënjimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe po kështu zemërimi dhe dëshpërimi. Ndaj dhe ata dolën në një protestë, u ulën përballë pallatit të krimit, u ulën përballë selisë së partisë së krimit dhe mbi ta u shkrehën breshëri të shumta kallashnikovësh dhe mitrolozësh. Ranë në këtë shesh për të mbetur përjetë të gjallë në zemrat tona, për t’u nderuar gjithmonë nga ata që nderojnë votën e lirë dhe lirinë.”, u shpreh Berisha.

Berisha u ndal edhe te situata aktuale në vend, teksa e cilësoi kryeministrin Edi Rama si pasardhës të “bllokmenëve hoxhistë”, i cili, sipas tij, ka përdorur pushtetin për të plaçkitur shqiptarët dhe për ta shndërruar votën në një farsë elektorale. Ai theksoi se misioni i PD, sot më shumë se kurrë, është rikthimi i votës së lirë, duke theksuar se në Shkodër ky mision duhet të përmbushet më mirë se cilido qytet tjetër në Shqipëri.

“Edi Rama, i cili në shembullin më të zi të baballarëve të vet, ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Përdor pushtetin për t’u pasuruar, për të legjitimuar vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve dhe shndërruar votën në një farsë të shëmtuar. Në këtë kuadër, kurrë më shumë se sot, nuk është aktuale, më frymëzuese sakrifica e martirëve të 2 prillit, të votës së lirë, ndaj edhe ne jemi të betuar. PD është e betuar se misioni i saj kryesor është rikthimi i votës së lirë të shqiptarët. Kam besim të madh se Shkodra do të përmbushë këtë mision se çdo qytet tjetër. “, tha ai.

Më tej Berisha shtoi:

“Pasardhësi i bllokmenëve hoxhistë në një drejtim të ekzistencës së kombit, i ka bërëkombit shqiptar gjëmën më të madhe që nga vitet 1300, vitet e Murtajës së Zezë.Asnjë pushtues, asnjë regjim nuk ka zbatuar në mënyrën më të egër doktrinën e Çubrilloviçit, e cil sot është tejkaluar disa herë nga Ramoviçi dhe meriton të quhet doktrina e Ramoviçit, e argatit të Beogradit.“