AKTUALITET, 2 Prill 2026, 11:01

"Jemi vend i sigurtë"/ Njoftimi i ambasadës amerikane për sulme nga Irani, Lamallari: Kemi komunikuar drejtpërdrejt, s’ka rrezik real

"Jemi vend i sigurtë"/ Njoftimi i ambasadës amerikane

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se lidhur me njoftimin e ambasadës amerikane ka pasur komunikime të drejtpërdrejta të strukturave të dedikuara të policisë me ambasadën amerikane dhe s’ka një rrezik real.

Ai tha se Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie në raport me zhvillimet ndërkombëtare. “Jo më larg se mbrëmjen e djeshme u kam kërkuar strukturave të antiterrorit, sigurisë publike dhe policisë kriminale qe të jenë në komunikim me ambasadën amerikane që është komunikuar se nuk ka informacione konkret për një rrezik real.

Fakti i dytë është që Shqipëria ka marrë masa të shtuara sigurie dhe kjo bazuar në zhvillimet ndërkombëtare që ndodhin ku janë të angazhuar maksimalisht strukturat e shtetit duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend.

Ky është fakt që ka shumë kohë më parë dhe ka një vlerësim nga Policia e Shtetit, ka edhe një plan veprimi që bën bashkë me detyra specifike çdo strukturë përgjegjëse.

Fakt është që Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët dhe ata që e vizitojnë, përtej postimeve që ju për fat të keq i lexoni kur vijnë nga Irani, por jo për protestat e dhunshme me molotovë”, tha Lamallari.

Fjala e Besfort Lamallarit:

“Unë ndaj informacion për qytetartë për tre fakte kryesore, e para i kam kërkuar të gjitha strukturave, Antiterrorit, Policisë, FSH-së që të jenë në kontakt me zyrat e ambasadës së SHBA, por edhe me dy ambasada të tjera.

Së dyti nuk ka informacion konkret apo inteligjencë për rrezik real dhe ky është një veprim standard që bëhet në të gjitha vendet e botës kur ka shqetësime të ndryshme. Policia e Shtetit ka marrë masa prej kohësh dhe jo vetëm për këto së fundmi, konkretisht edhe pas ngjarjeve në Lindjen e Mesme dhe konfliktit të armatosur, ndaj Policia e Shtetit ka marrë masa dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të paktën dy ambasada në vend, pra nuk ka nisur tani por prej kohësh për të vlerësuar rreziqet dhe situatat, nuk ka lidhje me postimin e djeshëm.

Janë të angazhuar maksimalisht të gjitha strukturat e sigurisë publike. Dhe fakt është se Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetartë shqiptarë dhe ata që e vizitojnë, përtej postimeve që ju i lexoni vetëm kur vijnë nga Irani dhe për Iranin dhe jo për protestat me molotovë”.