AKTUALITET, 30 Dhjetor 2021, 21:06

Çfarë ishte viti 2021 për shqiptarët? Analistët komentojnë zgjedhjet e 25 prillit

Çfarë ishte viti 2021 për shqiptarët? Analistët

Çfarë ishte viti 2021 për shqiptarët? Kjo ishte tema në emisionin "Të Paekspozuarit" në puntatën e fundit të këtij viti. 

Analistët diskutuan për ngjarjet më kryesore të këtij viti, ndër të cilat edhe zgjedhjet e 25 prillit, ku u rikonfirmua në pushtet Edi Rama dhe Partia Socialiste. 

Ja si i komentojnë zgjedhjet katër analistët Shkullaku, Çani, Curri dhe Kikia. 

Armand Shkullaku: Për mua zgjedhjet ishin masakër zgjedhore. Pa futur fare qëndrimin tim, vetëm duke parë raportin e arbitrit të zgjedhjeve, ODHIR. Bëhet fjalë për shuma parash, dhjetëra miliona euro, duke cuar në nivel shumë të lartë nivelin e pagesave të muajve shkurt-prill. Kemi zgjedhjet ku u futën me kod zgjedhor të ndryshuar edhe pse kishim rekomandimin e Venecias dhe ODHIR që kodi zgjedhor nuk mund të ndryshohej një vit para zgjedhjeve. Rama nuk pyeti për këtë.
Pati përdorim të policisë dhe bandave. I’u bë presion banditëve me anë të OFL që të qëndronin aty ku ishin. Në fund fare u sekuestrua vetëm një makinë.
Pati edhe një skandal tjetër, përdorimi i të dhënave të AKSHI, nga PS për t’ju bërë presion votuesve. Në këto zgjedhje nuk është garuar në mënyrë të barabartë, nuk kanë qenë zgjedhje të lira dhe të drejta.

Arjan Curri: Manipulimet janë të një niveli shumë të lartë. Ajo që dua të them është fakti që shqiptarët nuk reaguan ndaj kësaj masakre zgjedhore, e pranuan. Ne pranojmë çdo gjë që na ndodh. E komentoj me një habi timen, që këtu njerëzit i pranojnë të gjitha disfatat si normale. Normaliteti është përzierë me anormalitetin. Asnjë nuk reagoi, nuk protestoi, nuk tha një fjalë, përveç faktit që kur prishen interesat personale, të gjithë çohemi në këmbë. Për të drejtat tona, për skandalin me inceneratorët, etj, nuk çohemi. 

Arjan Çani: Unë kam rastin të mburrem pak, duke thënë se e kam parashikuar prej muajsh të tërë. Kam thënë ai do të fitojë. Jam nisur nga premisa që ky vend nuk është vend me standarte demokratike, por një vend autokratik.
Duke ditur ambicien e Ramës, e prisja, jo si një dëshirë, sepse gjithmonë kam qenë kritik i ashpër i kësaj qeverie, por e thoja sepse nisja nga premisa që ambicia e Ramës është aq e madhe, sa nuk është patur në këto treva. As Sali Berisha që është një kafshë politike, nuk bëri përpjekje për të devijuar votën, e la pushtetin, nuk e kishte ambicien e Ramës.
Jo vetëm që kam parashikuar, por kam thënë që Rama nuk ikën pa katër mandate.

Mentor Kikia: Dy elementë që kanë ndikuar për të favorizuar partinë në pushtet. Rrija drastike e numrit të të punësuarve në administratë, njerëz jashtë nevojës për të punuar në zyrat e shtetit dhe investimet e mëdha, të përqëndruara dy muaj para zgjedhjeve, procesin e rindërtimit, infrastrukturë, etj, duke shkarkuar financime në ekonomi, për të ndihmuar procesin elektoral.