TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha duket se nuk është dakord me kritikat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e këtij të fundit me kryetarët e bashkive, se reagimi i strukturave shtetërore në Vlorë, pas reshjeve të shiut, nuk ka ishte i duhuri.
Në një intervistë për Loneta Prognin në A2, Dredha u shpreh se masat janë marrë që përpara nisjes së reshjeve të shiut, por ato kanë qenë me intensitet tepër të lartë dhe të papërballueshme dhe për infrastrukturën e kanaleve të ujërave të larta.
“Situata në Vlorë është drejt normalizimit, që ditën e parë pas katastrofës natyrore. Angazhimi nisi që ditën që ra shiu. Thirra të gjitha drejtoritë, por prurjet ishin të jashtëzakonshme rreth 180 mm shi në pak orë. Angazhimi ka qenë maksimal. Ishim të gjithë në terren. Falënderojmë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Bashkitë e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës që na u gjetën në ndihmë. Po shkojmë familje më familje për të evidentuar të gjitha problematikat. Reagimi ka qenë në kohë që në pikën e parë të shiut, por me natyrën nuk mund të hahemi. Këto janë fenomene që kanë ndodhur në mbarë botën, në Slloveni, Kroaci, Bosnje”, tha Dredha.
Më tej kryebashkiaku i qytetit bregdetar foli dhe për masat për të ndihmuar familjet në nevojë.
“Kemi mbledhur grupin e emergjencave që ditën e parë të shiut, ku janë ndarë detyrat që të merren masat në kohë reale. Kemi ndarë rreth 300 pako me ndihma ushqimore për familjet në nevojë. Kemi evidentuar dhe rastet kur ka pasur ujë në oborre, kemi reaguar në kohë, por 80% e qytetit është në normalitet”, tha Dredha.