AKTUALITET, 19 Dhjetor 2022, 22:52

Enton Abilekaj: Na duhet një lëvizje e re si PD-ja e vitit ’90 që të rrëzojë sistemin e korruptuar

Enton Abilekaj: Na duhet një lëvizje e re si PD-ja e vitit ’90
Arlind Qori dhe Enton Abilekaj

Analisti Enton Abilekaj tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se Shqipërisë i duhet një forcë politike që të bëjë bashkë të gjitha rrymat, që të mos ketë ideologji, që të rrëzojë sistemin aktual politik.  

“Ne kemi një elektorat konservator, të ngjitur pas partive aktuale. Kemi edhe një elektorat të pashpresë dhe të varfër, i cili nuk e konsideron votën dhe e nxjerr në ankand kur vijnë zgjedhjet sepse nuk mendon se me votën e vet do të ndryshojë diçka.

Në këto 30 vite kemi një eksperiencë të dështimit të partive të reja, përjashtuar LSI-në, dhe të gjitha këto janë faktorë pesimistë për lëvizjen “Bashkë”. Por kjo nuk do të thotë se gjërat nuk mund të ndryshojnë.

Ne jemi në fazën e fundit të mbijtesës së klasës së sotme politike, që mbijeton se nuk ka alternativë, jo se jep diçka, sepse ka të njëjtin rezultat. Çfarëdo lloj rotacioni, jep të njëjtin nivel korrupsioni, keqqeverisje dhe niveli demokracie. Jemi në fazën kur dikush duhet t’i japë të shtyrën e fundit kësaj klase politike dhe dalja e një force të re është e domosdoshme dhe duhet të bashkojë shumë më tepër se sa të majtën dhe kjo “Bashkë” është shumë mirë.

Në stadin politik ku jemi një lëvizje e re është domosdoshmëri, pastaj oferta, çfarë kërkojnë njerëzit nuk mund ta themi. A duhet një forcë e majtë që të ofrojë zgjidhje të majta, apo një forcë që të mos ketë asnjë ideologji për momentin, siç ishte PD-ja? Ne na duhet më shumë një PD e ’90-ës ku u bashkuan të majtë e të djathtë, qendrës, zogistë etj. kundër sistemit, se sa një alternativë partiake, politike. Organizata Politike ka qenë kundër sistemit dhe i ka të gjitha forcat, por ideologjia mund ta pengojë për të mbledhur të gjithë ata që sot e shohin të nevojshme rrëzimin e sistemit, për të mbledhur të gjitha rrymat, edhe të majta, edhe të djathta, edhe të qendrës për të rrëzuar sistemin e korruptuar në shërbim të shtetit ligjor”- u shpreh Abilekaj.