AKTUALITET, 7 Maj 2026, 13:25

Emri/ Gjyqtarja Elsa Ulliri heq dorë nga gjykimi ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Ja nga kush zëvendësohet

Emri/ Gjyqtarja Elsa Ulliri heq dorë nga gjykimi ndaj kryebashkiakut

Gjyqtarja e caktuar me short për gjykimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Elsa Ulliri mësohet se është tërhequr nga gjykimi i çështjes ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Burime për mediat bëjnë me dije se gjyqtari relator në dosjen e Becit u caktua Besmir Stroka nga Shkodra.

Ndërsa konfirmohet se Irena Gjoka dhe Etleva Deda do të vijojnë të jenë pjesë e trupës gjykuese.

Seanca e fundit e mbajtur ndaj Benet Becit dështoi pasi dy prej avokatëve dhe kryebashkiaku i Shkodrës nuk u paraqitën duke u bërë kështu shkaku i shtyrjes së gjykimit për në datën 20 Maj ora 10.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 17 mars të kalojë për gjykim në themel çështjen penale në ngarkim të Becit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të cilët akuzohen se favorizuan një kompani private në një prokurim me vlerë 69.5 milionë lekë.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”.

Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Benet Beci në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike.

Hetimi ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij për këtë çështje filloi pas verifikimit dhe analizimit të provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, i cili edhe ky akuzohet për shkelje të barazisë në tendera e pastrim parash.