AKTUALITET, 9 Maj 2023, 11:46

Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia/ Zbardhet dëshmia e Klevis Allës: Si e kreu vrasjen Nuredin Dumani

Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia/ Zbardhet dëshmia e Klevis

Bashkëpunëtori i drejtësisë Klevis Alla, dëshmoi këtë të martë në gjykatën e posaçme për vrasjen e Besmir e Viktor Haxhisë në prill të vitit 2020.

Alla tregoi në gjykatë se vrasjen e ka bërë Nuredin Dumani dhe një person tjetër që ndodhej në makinë me ta, ndërsa Alla vetë ishte shofer i makinës me të cilën u bë vrasja.

“Ditën e ngjarjes, kur u vranë dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia, unë dola nga shtëpia ime me makinën të cilën e kishim marr për të kryer krimin. Kam dalë në autostradë, aty kam pritur në anë të rrugës Nuredin Dumani, i cili erdhi me një makinë tip benz. Bashkë me të ishte dhe një tjetër person, të cilin nuk e njoh.

Dumani ishte i veshur me një kapuç të zi që i mbulonte fytyrën dhe i dukeshin vetëm sytë, si ato të policisë, edhe personi tjetër njësoj. Jemi nisur drejt Shenavlash të Durrësit. Rrugës unë kam marr në telefon Besmir Haxhinë, pasi e njihja, ne nuk e dinim që bashkë me të do të vinte edhe Viktori.

Në momentin që erdhi Besmir Haxhia, Nuredin Dumani uli xhamin dhe nisi të qëlloj, ndërsa personi tjetër pas makinës, qëlloi pa e hapur xhamin fare. Pas të shtënave të para Nuredin Dumani, doli nga makina dhe qëlloi sërish për tu siguruar.

Pas ngjarjes kemi ikur, jemi kthyer ku u takuam, Dumani dhe personi tjetër ikën në Tiranë, ndërsa unë u largova dhe sipas udhëzimeve të Dumanit ika të hedh në lum tre armët e zjarrit kallash. Dumani gjithashtu më kishte thënë që unë të çmontoj makinën, por unë nuk e kam bërë se pata frikë se do të më vrisnin dhe e lashë atë në një urë.

Më pas kam ikur në shtëpi. Kam komunikuar me Dumanin dhe ai më ka thënë që të mos dalë shumë nga banesa. Ditën tjetër unë fillova të kisha frikë se do më vriste Dumani, sepse e ndjeja, më shikonte si më të vogël dhe mendonte se unë mund të flisja.

Një ditë pas ngjarjes, pasi shoqëruan babain në komisariat, unë u largova nga shtëpia, ika lëviza makinën dhe fjeta të një banesë e një shoku, në mëngjes kur pashë poshtë pallatit, vura re njerëz që nuk i njihja dhe kisha frikë se do të më vrisnin, se vetëm Dumani e dinte ku isha. Pasi shkova në shtëpi vendosa të dorëzohesha në polici.”