AKTUALITET, 23 Korrik 2024, 09:48

Eksperti ngre alarmin për shpendët nga Brazili: Të kontrollohen të gjitha pularitë

Eksperti ngre alarmin për shpendët nga Brazili: Të kontrollohen

Eksperti i Industrisë Ushqimore, Abdyl Sinani, ka ngritur alarmin për shpendët e infektuara me gripin e pulave që vijnë kryesisht nga Brazili. Sinani thotë se të gjitha pularitë duhet të kontrollohen dhe pulat të karantinohen, pasi sipas tij, kjo sëmundje i ngordh menjëherë pulat.

Sinani tregoi se Kosova ka marrë masa drastike për këtë fenomen, pasi sipas tij, autoritetet atje i kanë karantinuar dhe kanë ngritur grupe kontrolli në të gjitha pularitë.

Ai shtoi se momentalisht ky grip nuk rezulton ngjitës edhe te njerëzit, por shtoi se kujdesi duhet të jetë maksimal.

“Ne e kemi eksperiencën e gripit të pulave dhe duhet të kemi kujdes të madh në karantinimin e tyre. Tani që Kosova e sinjalizoi dhe mori masat e veta, për ne është detyrë urgjente që të bëhet karantinimi që nga dogana dhe në të gjithë pularitë në Shqipëri.

Ajo sëmundje është shumë ngjitëse dhe i ngordh menjëherë pulat. Kujdesi më i madh është të mos i pranojmë njëherë, siç po veprojnë të tjerët dhe të zbatojmë ato rregulla që po zbaton Kosova, që ka ngritur rrjetet e veta në të gjitha pularitë e vendit. Ato duken që janë të trullosura, u bie koka, u mbyllen sytë, lotojnë.

Nëse therim pula, ato duhet t’i lëmë patjetër në frigorifer në temperatura sa më të ulëta. Tani për tani thonë që nuk rrezikon jetën e konsumatorit. Por kujdesi duhet me urgjencën më të madhe, të bëhet kontrolli i gjithë pularive”, tha Sinani për emisionin “Good Morning Albanians”.