AKTUALITET, 15 Dhjetor 2022, 09:46

Eksperti i ekonomisë: Informaliteti, i nxitur edhe nga institucionet publike

Eksperti i ekonomisë: Informaliteti, i nxitur edhe nga institucionet

Eksperti i ekonomisë dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për kërkime Ekonomike, Z.Zef Preçi, në një intervistë për televizionin SCAN u shpreh se ka një numër shumë të madh arsyesh që lidhen me shkeljet që ndodhin përtej vullnetit për të mos paguar taksa, sepse si bizneset ashtu dhe qytetarët në Shqipëri, kanë një vullnet të limituar për të paguar taksa për faktin se në 30 vjet mbas ndryshimeve sistemike të vitit ’91 nuk kemi arritur të ngremë ura midis kontributeve dhe përfitimeve prej tyre. Z.Preçi përmendi disa tematika të ndryshme gjatë intervistës si bizneset private, ekonomia, informaliteti, kompanitë koncesionare, limitimi i arkës etj.

Drejtori ekzekutiv u shpreh se në një ekonomi tregu, në një shoqëri të lirë, në një shtet ligjor, në një shtet të së drejtës, është e rëndësishme të ndiqen procedura që e kanë çertefikuar veten, pra që janë të njohura dhe gjithëpranuara.

“Në të njëjtën kohë të ketë politika miqësore ndaj biznesit dhe procesi i formalizimit të ekonomisë që lidhet me dy masat për buxhetin e vitit 2023, është proces i formalizimit, që do të thotë i futjes në sistem të asaj pjese të ekonomisë që është jashtë sistemit.

Në vendet Perëndimore, si bizneset, si qytetarët paguajnë taksa direkte dhe indirekte sepse taksat shndërrohen në të mira publike si: shërbime publike, rend, siguri, të cilat e justifikojnë pagimin e taksave kurse këtu tek ne ndodh shumë pak dhe shërbimet publike janë dëmtuar” – tha ai.

Preçi e sheh problemin e informalitetit, si të nxitur nga institucionet.

Tepër shqetësues është inkurajimi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë që autoritetet publike i bëjnë pikërisht kësaj shkalle të informalitetit që shfaqet dhe për rrjedhojë rritet në vazhdimësi nga mungesa e kontrollit. Bizneset private përgjithësisht e respektojnë detyrimin për të bërë deklarim aq sa mendojmë dhe gjykojnë, por nuk i bëjnë publike përballë opinionit ose për t’i patur në faqet e internetit.

Duke mos përmendur që mbi 200 kompani shtetërore që punojnë me fonde publike, pra kompanitë koncesionare, nuk raportojnë mjaftueshëm në autoritetin përgjegjës. Problemi i financave të dyfishta është më shumë me traditën, kulturën dhe represionin qeveritar.

Në qoftë se nuk fsheh numrin e të ardhurave dhe nuk rrit shpenzimet, është shumë vështirë të mbijetosh në shumë sektorë të kësaj ekonomie dhe në këto kushte bilanci i dyfishtë reflekton pikërisht gjendjen e përgjithshme sepse nga njëra anë qeveria është e interesuar për pushtetin, nga ana tjetër administratat tatimore e sheh veten të përkohshme.

Ka problematika dhe komuniteti i biznesit pasi nuk bën përpjekje të mjaftueshme as për t’u vetëorganizuar as për të vendosur disa standarde që garantojnë konkurrencën dhe sa më shumë qeveria rrit presionin për të mbledhur sa më shumë taksa, shtyn që bizneset të bëhen më shume infromale, pra detyrohen të përballen me konkurrencë të pandershme” – u shpreh eksperti.