AKTUALITET, 15 Dhjetor 2022, 08:42

Prurjet e shumta të lumit Mat dëmtojnë urën e Zogut

Prurjet e shumta të lumit Mat dëmtojnë urën e Zogut

Ura shumë vjeçare e ndërtuar mbi lumin Mat, që në kohën e Mbretit Zog ka pësuar dëmtime të shumta pas reshjeve të shiut. Për shkak të prurjeve të lumit Mat, ura është fundosur rreth dy metër, si dhe i është dëmtuar një tjetër këmbë. 

Ura e Zogut është një nga më të veçantat në vendin tonë për strukturën e saj arkitekturore.

Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo është ndërtuar nga një inxhinier italian dhe ka marrë emrin e Mbretit Zog, pasi ai ishte vetë ideatori për ndërtimin e urës. Në ato vite ura ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e Epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën.

Vepra kulturore që po degradon dita-ditës është e njohur si një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Ajo ndodhet në krahun e majtë të Rrugës së Kombit dhe ura lidhej me Kurbinin, Mirditën dhe Lezhën.