TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Andi Bushati dhe Ola Xama kanë debatuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, lidhur me akuzat e SPAK ndaj Erion Veliajt.
Debati:
Andi Bushati: Mund të jenë edhe 113 akuza. Kur them proces politik, thonë ky po mbron Veliajn. Por çfarë quaj politik? Proces politik quaj që dikush, ai që ka në dorë të gjitha, të ndërsejë zagarët e SPAK, që bjerini Erionit, por metrin e keni nga këtu deri këtu. Po të kap një nga akuzat, ndërtuesi Shkëlqim Fusha. Thuhet në akuzë, Fusha ka marrë në Yrshek lejen për një vilë dhe për këtë ka paguar dy avokate të studios së Ajolës që t'ja kalonin ato Ajolës për vilën. Ky Shkëlqim Fusha kush është? Një ndërtues që u bë ligj special për të marrë Teatrin dhe kullat. Ndërhyri BE dhe tha ky ligj prek marrëveshjen e asocim stabilizimit, sepse shkatërron konkurencën. Kompania Fusha, kur bëhej ligji special, kishte marrë 90% të punëve publike ose prokurime të drejtpërdrejta ose pa garë. Kjo është tabloja e madhe e korrupsionit në Shqipëri. Tani, karagjozët e SPAK çfarë bëjnë? Thonë vila në Yrshek dhe lek ky Fusha. Të na bëjnë kaq për budallenj në këtë vend ku po bëhet nami, këtë nuk e kapërdij dot.
Ola Xama: Nuk është vetëm ky episod, por jepen edhe raste kur janë dhënë tendera. Është edhe një leje tjetër.
Andi Bushati: Po të them përmasën e biznesit të Fushës, jo me Veliajn por Ramën, po ku katandiset dosja e SPAK? Nuk them se Veliaj nuk ka abuzuar, por po na hedhin kocka për të fshehur malin dhe ky është proces politik.
Ola Xama: Përse duhet të hetohet çdo aferë korruptive, që Veliaj mund të ketë patur, kur mjafton të kesh 1 apo 2-3 raste dhe e merr të pandehur? Në këtë rast, nuk besoj se SPAK ka bërë ndonjë favor, është marrë i pandehur Fusha, kompania dhe kryetari i Bashkisë. Pra mjafton edhe një pagesë 25 mijë euro për ta provuar. Duhen pafund hetime në vite për të zbardhur çdo korrupsion që ka patur? Ju thoni ligji special, por atë e bëri Kuvendi dhe Kuvendin nuk e merr dot të pandehur.
Andi Bushati: Por kur kemi të bëjmë me një biznesmen që ka këtë fuqi, është përtej marrëdhënies Veliaj-Fusha. Nëse na hedhin kockën e vilës në Yrshek… Ne bëmë reformë në drejtësi dhe SPAK, sepse këtu korrupsioni ishte në gjëra të papara prandaj duheshin bërë institucuone speciale. Këta po na servirin tablonë e korrupsionit të vogël.
Ola Xama: Është tjetër cështje pse nuk heton inceneratorin dhe Teatrin, por kjo është tjetër çështje. Pse qenka procesi politik? Edhe për inceneratorin kështu mund të thuhej, donte Rama kështu.