AKTUALITET, 12 Gusht 2022, 08:46

E plotë/ Nga mesazhi misterioz te vizita e shokut dhe denoncimi i i xhaxhait, çfarë dihet nga "zhdukja" e Vis Martinajt

E plotë/ Nga mesazhi misterioz te vizita e shokut dhe denoncimi i i

Ditën e djeshme (11 gusht 2022), familja e Ervis Martinajt ka alarmuar policinë e Laçit se ka humbur kontaktet me 40-vjeçarin, i shumëkërkuar nga policia.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, bënë të ditur se ishte nëna e Martinajt ajo që ka kryer denoncimin, duke thënë se prej 3 ditësh nuk kishte asnjë kontakt me djalin e saj. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend.

Ajo ka rrëfyer se nuk e di ku ndodhet djali i saj dhe po ashtu informacion për të nuk kanë as të afërmit e tjerë të cilët ruanin kontakte me të shumëkërkuarin.

Xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj depozitoi një kallëzim për zhdukjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë në komisariatin e Laçit.

Sipas asaj që mëson Abc, një shok i Ervis Martinajt  ka shkuar në shtëpinë e tij dhe i ka thënë se ka humbur kontaktet me të. Familjarët dyshojnë se atij mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe, për faktin se ka armiq të shumtë dhe se është në kërkim ndërkombëtar.

Ka dhe një mesazh që persona që shoqëroheshin me Ervis Martinaj ia kanë treguar të afërmve të tij, ku thotë “kini kujdes se do ketë kontrolle”.

Në lidhje me nipin tim, djalin e vëllait Ervis Martinaj, i cili është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dje rreth orës 22:00, jemi njoftuar nga një i afërmi jonë, që për arsye sigurie nuk dua të përmend emrin, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, por është nga Puka, me ka vënë në dijeni se Ervisi është zhdukur dhe nuk kishte kontakte me të. Dua të theksoj se qe prej kohës që nipi Ervisi është shpallur në kërkim nuk kam patur asnjë kontakt me të drejtpërdrejt apo në telefon, por vetëm nëpërmjet personave të afërm. Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund ti ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale që kërkojnë ta eliminojnë. Ne kemi pritur deri ditën e sotme që mos kemi ndonjë kontakt me nipin Ervisin por nuk kemi arritur të kontaktojmë dhe nuk kemi asnjë lloj informacioni për vendndodhjen edhe gjendjen e tij.
Sot në dreke rreth orës 12, te shqetësuar lidhur me gjendjen e nipit Ervisit, kam njoftuar punonjësin e policisë se komisariatit Kurbin Pjetër Tuci për sa thashë më sipër”.

Policia e Shtetit ndodhet para një situate të komplikuar dhe të vështirë pas denoncimit të të afërmve të Ervis Martinaj, një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Ndaj nuk dihet ende se si do të veprohet me referimin e rastit. Denoncimi i xhaxhait të tij është një ngjarje e rrallë në llojin e saj sepse nuk bëhet fjalë për një largim nga banesa, as nuk kanë dyshime apo të dhëna për një rrëmbim mundshëm, por kanë vetëm dyshimet e humbjes së kontakteve me të.

Sigurisht që Policia e Shtetit është e dyzuar për mënyrën se si do ta referojë këtë ngjarje në prokurorinë e Kurbinit. Statusi i Ervin Martinajt është ai i një personi në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij ka një urdhër-arresti nga SPAK.

Të gjitha operacionet për kapjen e tij kanë dështuar, sigurisht që ka praktika të ndryshme kur persona që janë në konflikt me ligjin apo kanë konflikte të mundshme mund të inskenojnë ngjarje të tilla.

Ervis Martianj, për herë të fundit, publikisht në qytetin e Laçit është parë më 18 korrik, datë kjo kur iu dha lamtumira e fundit tre viktimave që u vranë në Fushë Krujë, (kushëririt të tij )Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

ABC mëson se makina “Toyota Land Cruiser” i blinduar, me të cilin lëvizte Ervis Martinaj, ka shoqëruar të gjithë vijimin drejt banesës së fundit të tre të vrarëve.

Kujtojmë se me makinën “Toyota Land Cruiser” lëvizte edhe Ylli Ibrahimi, i cili njihet si krahu i djathtë i Vis Martinajt bashkë me Klisman Preçin.

Klisman Preçi ishte viktima e radhës e atentateve që po marrin jetë njerëzish në aksin Fushë Krujë-Laç-Lezhë. Bashkë me të ishte dhe Ylli Ibrahimi, por ky i fundit mundi t’i shpëtojë atentatit duke qenë jashtë rrezikut për jetën në spital.

Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.

Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo.  Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.

Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit

Nuredin Dumani, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Elbasan, i cili u vu në pranga pak muaj më parë dhe “ushtari” i tij Henrik Hoxhaj, janë bërë të penduarit e drejtësisë, duke zbërthyer 8 grupe të rrezikshme kriminale, që operonin në Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Mësohet se mes dëshmive, Dumani ka thënë se është paguar edhe nga Ervis Martinaj për të eliminuar fizikisht Endrit Doklen. Shifra që është paguar nga Martinaj për vrasjen e Dokles është 100 mijë euro, ndërkohë që i ishte premtuar 500 mijë euro gjithsej.

Kujtojmë se Endrit Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.

Më 13 nëntor 2021 mbeti viktimë e një atentati Eriger Mihasi, i njohur si shok i Ervis Martinajt. Ai ishte  duke udhëtuar në automjetin e tij tip Audi A 8 me targa AB 008 EM, në momentin kur u qëllua me breshëri plumbash. Burime bënë me dije për ABC se atentatorët qëlluan nga një automjet në lëvizje. Automjeti ishte në pronësi të Mihasit. Ai kishte personalizuar edhe targat me inicialet e tij “E M”.

Mihasi kishte qenë disa herë i arrestuar dhe shpallur në kërkim për grabitje dhe ngjarje të tjera kriminale.

Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Ai kishte qenë i arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.

Në qershor të 2020, Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut.

Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.

Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMË X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.

Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.

Vrasja e Brilant Martinajt, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës

Më 17 korrik, në mbikalimin e Fushë-Krujës, 4 persona ende të paidentifikuar një një atentat të mirëorganizuar ekzekutuan 3 të rinjtë.

Brilant Martinaj, kushëriri i parë i Vis Martinajt, ishte krahu i tij i djathtë. Dyshohet se Brilanti ishte dhe objektivi i masakrës së Fushë-Krujës.

Vrasja e Klisman Preçit dhe plagosja e Ylli Brahimit

Më 22 korrik, objektiv i radhës së sagës së gjatë të ekzekutimeve ishte biznesmeni Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi. Ky i fundit humbi jetën nga breshëria e prilbave, ndërsa Brahimi përfundoi i plagosur rëndë.

Ylli Brahimi njihet si krah i grupit të Ervis Martinajt