TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Testi i drogës për efektivët e policisë së shtetit ka shkaktuar shumë zhurmë në javët e fundit pasi një pjesë e tyre, 36 në të gjithë vendin rezultuan pozitivë.
Përballë kundërshtimit me argumente të efektivëve, pasi sipas tyre arsyeja se përse laboratori i ka nxjerrë përdorues droge nuk është fakti që “kemi konsumuar lëndë narkotike, por për shkak se jemi të sëmurë kronikë dhe përdorim ilaçe të ndryshme”, policia e shtetit vendosi që të bënte prapaktheu.
Sot drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano deklaroi se do të ketë një raund të dytë të analizave të efektivëve të policisë të dyshuar si përdorues droge.
I ftuar në “ABC”, gazetari Artan Hoxha u shpreh se vlerëson testin anti-drogë, por theksoi se duhet të bëhet edhe testi i alkoolit.
“Testi anti-drogë deri tani aplikohet kryesisht për kandidatët që donin të rekrutoheshin, kryesisht për kadetët e akademisë së policisë ose pjesëtarët e patrullës së përgjithshme. Pastaj më pas, sepse ti mund ta kalosh testin e parë dhe kjo nuk e përjashton faktin që mund të bëhesh përdorues. Është e parashikuar në ligj, por nuk është ndjekur në praktikë deri tani.
U desh një urdhër i Gledis Nanos, që ka lëshuar disa urdhra për të bërë një reformë edhe brenda policisë për ta filtruar nga disa probleme dhe një nga këta është që gjatë dy viteve të fundit është rritur në mënyrë të frikshme përfshirja e policisë në trafikun dhe shpërndarjen e drogës. Janë kapur në operacione pjesëtarë të forcave speciale, patrullës dhe policisë kriminale.
Policët u kthyen në shpërndarës dhe trafikues dhe një nga elementët që çoi në këtë situatë është që pjesa dërrmuese që u kapën u kthyen vetë në përdorues. Te drogërat e forta policët rezultojnë edhe vetë përdorues. Për mua duhet të bëhet edhe testi i alkoolit, që për mua është më i përhapur se droga në radhët e policisë” tha ai.
Hoxha kishte disa dyshime mbi testin. E para tha ai, disa prej të efektivëve mbi 50-vjeç që kanë dalë pozitivë “mund të jenë nën efektin e efekteve të ndryshme të kurave mjekësore në atë moshë”, pra e ilaçeve që kanë marrë për mjekim.
“A e specifikon analiza, cilët janë elementët që e përcaktojnë se çfarë narkotiku po përdor efektivi që ka bërë testin dhe ka dalë pozitiv?” është pyetja që ende nuk ka marrë përgjigje.
Rezerva e dytë për testin lidhet me faktin e drogës që mund të marrin efektivët. Artan Hoxha tha se policët që marrin kokainë arrijnë që t’i shpëtojnë këtij testi.
“Përdoruesi i kokainës nuk të del duke marrë analizë në gjak, se për një javë pastrohet.
Duhet marrë “ADN” nga fija e flokut. Këta që përdorin kokainë e dinë si të pastrohen dhe kjo analizë është e pamjaftueshme” tha Hoxha.