AKTUALITET, 10 Dhjetor 2021, 10:05

Laboratori i heroinës në Has! SPAK konfiskon hotelin e Admir Hoxhës në Rinas

Laboratori i heroinës në Has! SPAK konfiskon hotelin e Admir

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka konfiskuar hoteli ‘Ador’ në Rinas, i cili është në pronësi të Admir Hoxhës.

SPAK bën të ditur se kjo pronë e konfiskuar me vlerë 5 milion euro do ti kalojë shtetit shqiptar. Dyshohet se hoteli i përkiste një grupi kriminal të strukturuar që merrej me trafik ndërkombëtar droge.

“Kjo pronë e konfiskuar me vlerë 5 (Pesë) Milion Euro i kalon shtetit shqiptar! Hoteli i përkiste një grupi kriminal të strukturuar që merrej me trafik ndërkombëtar droge”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Admir Hoxha, dyshohet se është ideatori i laboratorit të heroinës që u ngrit në Has. Pronari i kompleksit luksoz u arratis nga Shqipëria 9 ditë para se policia të zhvillonte operacioni ku u arrestuan pesë persona nga fshati Brenog.

Biznesmeni Admir Hoxha ka dalë në përgjimet e prokurorisë, si edhe është dokumentuar një takim me tij me dy turqit që merreshin me prodhimin e heroinës. Njëri nga turqit që merrej me prodhimin e drogës, u gjet dy javë më parë i vdekur në një banesë në Prishtinë.

Admir Hoxha, dyshohet se është personi që përgatiti ambientin dhe e ktheu në një laborator.

Hoxha dyshohet se porositi heroinën në Has për t’a tregtuar atë më pas në vendet e BE-së. Sipas prokurorisë, Roni i Shijakut bashkë me biznesmenin Admir Hoxha ishin dy personat që dyshohet kishin organizuar futjen në Shqipëri të 161 pakove me heroinë.