AKTUALITET, 4 Maj 2023, 11:11

Dyshohet se vrau pronarin e banesës në Shkodër/ Dëshmia e 34-vjeçarit: Kemi patur debate për qiranë

Dyshohet se vrau pronarin e banesës në Shkodër/ Dëshmia e

Lekë Vuksani ka dhënë dëshminë e tij në polici, në lidhje me vrasjen për qiranë e shtëpisë ku dyshohet se i mori jetën Petrit Vuksanit.

Autori i dyshuar Lekë Vuksani që u arrestua nga policia pas 21 orëve në kërkim, ka dhënë dëshminë e tij për policinë vendore të Shkodrës, ku ka pohuar se njihej me viktimën. 34-vjeçari ka deklaruar se të dy janë nga Dukagjini dhe se i kishte marrë shtëpinë me qira prej disa kohësh.

Por muajt e fundit viktima dhe autori janë konfliktuar disa herë për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike, të cilat pronari Petrit Vuksani që mbeti i vrarë ka pretenduar se nuk janë paguar nga qiramarrësi Lekë Vuksani.

Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës.

34-vjeçari u vu në pranga falë bashkëpunimit të policisë së Shkodrës me forcat RENEA. Autoritetet po ashtu kanë mundur të sekuestrojnë edhe armën e krimit.

“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli.

Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja, Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit.

Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes, në bisedën me efektivët.

Pavarësisht pretendimit se arma e krimit është e viktimës, policia ka prova se armën e solli autori i dyshuar me vete dhe se ishte e tij.