AKTUALITET, 16 Gusht 2023, 10:19

Dyshohet se kishin mbjellë kanabis, arrestohet babë e bir në Lazarat

Dyshohet se kishin mbjellë kanabis, arrestohet babë e bir në

Dy persona, babë e bir janë arrestuar nga policia pasi u kapen duke u kujdesur për kanabisin që e kishin mbjellë.

Sipas policisë lënda narkotike ishte mbjellë në oborrin e banesës, ndërsa dy personat u kapën nëpërmjet dronit.

Nga kontrolli u gjet edhe një sasi droge, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 50 bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Njoftimi i policisë

Kishin kultivuar dhe prodhuar cannabis sativa, në fshatin Lazarat, kapen në flagrancë teksa kujdeseshin për bimët narkotike dhe vihen në pranga 2 shtetas (babai dhe djali).

Asgjësohen nëpërmjet djegies, bimë narkotike dhe sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa që u gjet në banesën e 2 të arrestuarve.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në një banesë në fshatin Lazarat, kultivoheshin bimë narkotike cannabis sativa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan operacionin policor të koduar “Kujdesi”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit A. S., 51 vjeç dhe E. S., 28 vjeç (babai dhe djali), të dy banues në fshatin Lazarat.

Të dy këta shtetas u kapën në flagrancë nga dronë të rezolucionit të lartë, të përdorur në këtë operacion, teksa kujdeseshin për 50 bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa që kishin mbjellë në oborrin e banesës së tyre. Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në këtë banesë, Policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 50 bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.