AKTUALITET, 4 Dhjetor 2023, 16:02

Njëri në kërkim për ndihmë të paligjshme të emigrantëve, tjetri për drogë, ekstradohen nga Gjermania dhe Spanja 2 persona

Njëri në kërkim për ndihmë të paligjshme të

Ekstradohen nga Gjermania dhe nga Spanja, 2 shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”. Masa në fjalë është caktuar nga GJKKO-ja, për veprimtari kriminale, të kryera në kuadër të 2 grupeve kriminale. Bëhet fjalë për një 33-vjeçar lindur në Palestinë, i akuzuar si organizator i disa rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve si dhe një tjetër i ri që u ekstradua nga Barcelona, i akuzuar për shitje dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

NJOFTIMI

√Nga Frankfurti u ekstradua një 33-vjeçar i lindur në Palestinë, i akuzuar si organizator i disa rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt 4500-5000 eurove/person, për kalim ilegal në shtetet e BE-së, nga deti dhe nga toka.

√Nga Barcelona u ekstradua një 31-vjeçar shqiptar, i akuzuar për shitje dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët gjermanë dhe me ata spanjollë, me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-u ekstradua nga Frankfurti, shtetasi i lindur në Palestinë A. S., 33 vjeç. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi A. S. akuzohet se është organizator i një grupi kriminal, i cili nga viti 2020, ka kryer disa raste të dhënies ndihmë emigrantëve nga Lindja e Mesme, kundrejt 4500-5000 eurove/person, për kalim të kundërligjshëm në shtetet e BE-së, përmes rrugëve detare dhe atyre tokësore;

-u ekstradua nga Barcelona, shtetasi Gj. Z., 31 vjeç, lindur në Sukth. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Gj. Z. akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që mbante, transportonte, shiste dhe trafikonte lëndë narkotike.

Të ekstraduarit iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime procedurale të mëtejshme.