AKTUALITET, 4 Shtator 2025, 12:09

Drafti/ Nga vjedhja brenda familjes tek droga, Rakipi zbulon veprat që Kodi i ri Penal do ua lehtësojë dënimin: Dokumenti më i mirë penal që i kemi ofruar vendit

Drafti/ Nga vjedhja brenda familjes tek droga, Rakipi zbulon veprat që Kodi

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ka deklaruar se Kodi i ri Penal do të sjellë lehtësime të ndjeshme në dënimet për disa kategori veprash penale. Ai theksoi se ndër risitë kryesore janë dispozitat që orientojnë gjykatat drejt dënimeve më të buta, veçanërisht në mungesë të rrethanave rënduese.

“Dua të përmend një grup dispozitash të tjera që lidhen me dënimin. Dispozita e parë orienton gjykatën kur do të japë një dënim ndaj një personi që nuk ka rrethana lehtësuese. Ky është një dënim ligjor. Ndikon drejtpërdrejt në zbutjen e dënimit.

Çështja e dytë është që ne kemi rreth 100 dispozita ku gjyqtari orientohet të japë dënim plotësues, jo burgim dhe jo gjobë, siç mund të jetë puna në interes publik, normalizimi i marrëdhënieve me viktimën apo elementë të tjerë.“, tha Rakipi.

Vjedhja

Një element i rëndësishëm është trajtimi i rasteve të vjedhjeve brenda familjes, të cilat nuk do të ndiqen penalisht pa një ankim zyrtar nga pala e dëmtuar.

“Do përmend kategoritë lehtësuese që lidhen me vjedhjen. Është një dispozitë e rëndësishme për rëndësinë e veprës; do të bëjë që të mos quhet vepër penale, pra do të konsiderohet si e patrajtueshme penalisht.
Vjedhjet brenda familjes janë vlerësuar që mund të trajtohen me ankim. Prokurori nuk e fillon dot çështjen përveçse me ankim, dhe kjo është lehtësuese për politikën penale në tërësi.
Një element tjetër që ndikon është çështja e alternativave të dënimit që janë shtuar — alternativa që ndikon drejtpërdrejt në dënimin gjyqësor, sepse nëse sistemi i provës e mbikëqyr, ndjek dhe referon në gjykatë.”, tha drejtuesi i grupit të punës që hartoi draftin e Kodit të ri Penal.

Trajtimi si i mitur

Po ashtu, një kategori e veçantë përfiton nga trajtimi si i mitur, në rastet kur të rriturit e rinj kryejnë vepra të lehta penale.

“I rrituri nuk do të trajtohet si i mitur, por është në kuptimin që, nëse do të kryejë vepra jo të rënda, atëherë mund ta marrë këtë lehtësi, ashtu siç mund ta marrë i mituri. Është një çështje që zbut dënimin e tij në raport me veprën, nëse nuk është një vepër e rëndë. Këto përbëjnë masën dërrmuese të lëndës penale që ne kemi.”, sqaroi Rakipi.

Shpërndarësit e drogërave

Sa i përket shpërndarësve të drogës, Rakipi sqaroi se dispozitat e reja parashikojnë mospenalizim kur sasia është e vogël dhe kur të dyshuarit bashkëpunojnë me autoritetet duke treguar burimin e lëndës narkotike.

“Çfarë lidhet me shpërndarësit e drogës, dispozita parashikon mospenalizim të tyre nëse sasia është e vogël — 10 apo 5 gramë, s’e mbaj mend mirë.
Shpërndarësit e rrugës, kur nuk është për përdorim vetjak, ne mendojmë që të mos penalizohen, me kushtin që të tregojnë se ku e kanë marrë drogën, pra burimin.“, vazhdoi Rakipi.

Rakipi ‘mbron’ Kodin e ri: Është dokumenti më i mirë penal që i kemi ofruar vendit

Për drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, drafti për Kodin e Ri Penal, pavarësisht problemeve dhe gjërave që mbeten ende për t’u diskutuar, është dokumenti më i mirë penal që i është ofruar vendit tonë.

“Sigurisht që elementët që lidhen me humanizmin e kodit, por qëllimi parësor është mbrojtja sociale dhe mbrojtja e viktimës dhe në cilësinë e saj mund të them se është dokumenti më i mirë penal që i kemi ofruar këtij vendi. Për rrjedhojë them se shërbimi që do i bëhet publikut dhe institucioneve do të jetë mjaft i madh.”, tha Rakipi në ciktin e parë të dëgjesave për Kodin e ri Penal që nisi sot.

Përsa i përket çështjeve që do të diskutohen, Rakipi tha se janë 2 elemente me rëndësi: depenalizimi i veprave dhe masa e dënimit të tyre.

“Elementi i parë është elementi i depenalizimit të veprave dhe elementi i dytë është ai i dënimit dhe masës së tij. Janë dhe elementë të tjerë që janë të përgjithshëm dhe kontributi i gjithkujt është i rëndësishëm”, tha Rakipi.

Konsultimi Publik me rëndësi

Po ashtu mes të tjerash, drejtori i shkollës së Magjistraturës tha se konsultimi opublik është me shumë rëndësi.

“Në këtë kuptim, dua të shpreh gjithë vullnetin dhe nevojën tonë që kontributi përgjatë këtij procesi të jetë i të gjithëve. Ky proces nuk ka mbaruar.

Për ato që dp të them është e pamundur që këto element të mund t’i besohen një grupi pune që ka formimin, angazhimin, rolin, njohjen relative sikurse gjithkush prej nesh e ka.

Depenalizimi i veprave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe kërkon një opinion të gjerë. Depenalizimi i veprave, që janë hedhur për të provokuar një debat të gjerë dhe për fat të keq nuk janë pikasur cilat janë ato. Depenalizimi i veprave nuik është process thjesht politik që mund të shtyhet dhe vendoset në një krah apo tjetër. Qëndrimi politik është vota e parlamentit dhe nuk ka dyshim për këtë. Elementët ligjore që përfshihen në këtë proces të mos neglizhohen, siç është frekuenca, e me radhë. Konsultimi publik na lejon të kuptojmë nëse do të shkojmë te depenalizimi apo jo.

Nëse kriminaliteti, ky është një pozicionim që krijon ndikim, influencë, në drejtësi, atëhere çështja që lidhet me depenalizimin duhet parë me një sy objektiv dhe të kujdesshëm. Ne si grup pune kemi menduar, që përveç atyre provokimeve që thashë, kemi menduar që në shumicën tonë dërrmuese apo unanime, këto vepra të penalizohen. Por diskutimi publik na lejon të shohim nëze është i drejtë apo jo. Nuk bëhet fjalë për sondazhe të rreme e dëshira, por për një sondazh real që na lejon të kuptojmë a ia vlen të penalizohet për shembull bigamia, pirja e alkolit në publik…  Që janë çështje të thjeshta në pikëpamjen ligjore, por në pikëpamjen sociale janë shumë të rëndësishme. Ose eutoanazia që nuk është prekur në publik apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm.”, tha Rakipi.