TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në procesin e dosjes “Plumbi i artë” në GJKKO, ku bashkëpuntorë të drejtësisë janë Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase, u zhvillua debat i fortë në seancën e sotme, përsa i takon marrjes së 6 akteve hetimore, që kanë të bëjnë me dëshmi të Alibejt para prokurorëve.
Prokurorja Doloreza Musabelliu deklaroi në sallë se:
“Këto janë provat që kemi sjellë në gjykatë. Sa i takon marrëveshjes ne e kemi në dosje. Nuk mund të vihet në diskutim statusi i bashkëpunëtorit. Më 29 Qershor 2023 është lidhur marrëveshja. Vetë organi që ia heq statusin është vetëm organi i akuzës”.
Kurse avokati Aldo Shkëmbi teksa e kundërshtoi tha se kërkesa e tyre kishte bazë ligjore.
“Ne jemi në gjykim zakonshëm. Kërkesa jonë ka bazë ligjore. Nuk mund të na thuhet se sjellim çfare të duam”.
Prokurori Behar Dibra vuri në dukje se kërkesat e palës mbrojtëse ishin të përsëritura dhe duhet të përqëndroheshin te seanca.
“Këto janë kërkesa të përsëritura. Kur morëm në pyetje Erjon Alibej nuk u parashtrua kërkesa. Pyetjet duhet të bëhen mbi ato se çfarë ka thënë në senacë”, u shpreh përfaqësuesi i SPAK.
I pandehuri Xhuljan Hoxha reagoi:
“Nëse jemi për të vërtetën, duhet të jemi për të vërtetën dhe jo për trillime!”.
Avokati Henrik Ligori kërkoi deklarimet e plota.
“Ne duhet të kemi të plota deklarimet që ka edhe prokurori. Kjo është e pandershme. Nëse ka deklarime ato do duhet t’i kenë edhe palët në dispozicion”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati tjetër, Përparim Kulluri:
“Nëse përmendet emri i klientit tim, unë dua të njihem me to”, tha ai.
Pas këtyre diskutimeve Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë që t’i vendosë në dispozicion deklarimet e Erjon Alibej gjatë vitit 2022.
Avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës që në momentin kur të pyetet Alibej, të largohet Nuredini nga seanca. Kjo kërkesë gjeti kundërshti nga Prokuroria dhe nga vetë Dumani.
Gjykata vendosi që gjatë dëshmise se Erjon Alibej, Dumani mund të qëndrojë.