TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në GJKKO gjyqi për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj është shtyrë për më 2 tetor. Beqaj dhe avokatët e tij kërkuan të bëhet verifikimi i fashikujve hetimor të SPAK me ato që kanë mbërritur në gjykatë.
Gjatë seancës së sotme për çështjen e Sterilizimit, Beqaj pretendon se akuza e re që u rikualifikua nga gjykata, nuk i është komunikuar asnjëherë. Ish-ministri pretendon se i është komunikuar vetëm akuza e “shpërdorimit të detyrës”.
Prokuroria e Posaçme kishte propozuar të rikualifikohej në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Ai shtoi se ishte njohur vetëm me akuzën fillestare dhe kërkoi kohë shtesë për të studiuar dokumentacionin e ri dhe për të përgatitur mbrojtjen e tij.
Avokatët e ish-ministrit kërkuan që gjykata t’u mundësonte kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e aktve dhe përgatitjen e mbrojtjes, kërkesë që u pranua, duke shtyrë seancën për një datë të mëvonshme.
Beqaj refuzoi gjykimin e shkurtuar, duke pretenduar pafajësi dhe kundërshtuar aktet e dosjes së SPAK. Kurse 8 të pandehurit e tjerë që e pranuan akuzën, po procesohen me gjykim të shkurtuar, mes tyre edhe ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj.
Kjo do të thotë se Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Naile Ajazi do të përfitojnë nga ulja e 1/3 së dënimit nëse shpallen fajtorë, në bazë të procedurës së përshpejtuar.
Ndërkohë, Ilir Beqaj do të gjykohet në procedurë të zakonshme, ndërsa ai ka vijuar të kundërshtojë akuzat ndaj tij, duke kërkuar qartësi në formulimin e tyre.
SPAK po e heton Beqajn edhe për abuzimin me fondet e BE-së, kur drejtonte SASPAC, akuza për të cilat u arrestua muajin qershor të vitit të kaluar. Kurse për dosjen e Sterilizimit gjyqi ndaj tij bëhet në gjendje të lirë.
Gjatë kësaj seance Beqaj dëshmoi se akuza e re nuk i është komunikuar kurrë.
Për mua çdo lloj trupe gjyqësore në këtë seancë është e paligjshme, nuk e kam me ju personalisht. Është një situatë paligjshmërie, pasi nuk kam asnjë njoftim akuze nga prokuroria për vjedhje, jam njoftuar vetem për shpërdorim detyre. Edhe për njoftimin e akuzës duhet të paguajmë, s’është puna tek vlera se është qesharake, por them si logjikë, tha ai.
Ndërkohë, në të njëjtën gjykatë vijon shqyrtimi paraprak i dosjes "SASPAC", ku Beqaj është gjithashtu i pandehur.