AKTUALITET, 18 Shtator 2025, 12:13

Detaje/ Apeli i GJKKO e riktheu në qeli: Dako ende në spital, forcat e burgjeve blindojnë dhomën ku është shtruar ish-kryebashkiaku i Durrësit

Detaje/ Apeli i GJKKO e riktheu në qeli: Dako ende në spital, forcat e

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, vazhdon të jetë ende i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, në repartin e Infektivit, për shkak të problemeve shëndetësore.

Burime bëjnë me dije se forcat e burgjeve kanë marrë në ruajtje dhomën ku ndodhet i shtruar Vangjush Dako.

Vangjush Dako u shtrua në spital ditën kur Apeli i GJKKO vendosi rikthimin e tij në qeli për të kryer pjesën e tjetër të dënimit në burg.

Burime raportuan se Dako vuan nga aritmia, gjendje ankthi si dhe hernie diskale.

Kujtojmë se pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit e Posaçme (GJKKO), e cila e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg, Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi menjëherë urdhrin për ekzekutimin e vendimit. Megjithatë, duke përfshirë kohën e kaluar më herët në paraburgim dhe arrest shtëpie, Dakos i mbeten për të vuajtur vetëm 8 ditë burgim efektiv.

Policia shkoi në banesën e tij për ta shoqëruar drejt qelisë, por për shkak të gjendjes shëndetësore të konstatuar gjatë vizitës mjekësore, ai u transportua në spitalin e Durrësit, ku ndodhet aktualisht nën mbikëqyrjen e Policisë së Burgjeve.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të martën, më 16 shtator, lënien në fuqi të dënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, me 2 vjet e 8 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, të dhënë nga shkalla e parë, lidhur me paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Megjithatë, përveç periudhës së qëndrimit në qeli nga arrestimi i tij më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, Dakos do t’i duhet të shlyejë edhe rreth 11 ditë burg, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në “arrest shtëpie”, që gjithashtu njihet si vuajtje dënimi.

Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit të martën.