AKTUALITET, 24 Shkurt 2022, 22:08

"Ditë e hidhur zgjimi!"/ Genc Pollo: Evropa dhe SHBA-të nuk kanë reaguar me vendosmëri, kjo rriti agresivitetin e rusëve

"Ditë e hidhur zgjimi!"/ Genc Pollo: Evropa dhe SHBA-të nuk
Genc Pollo në TPZ

Genc Pollo, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku është diskutuar për agresionin rus në Ukrainë. 

Pollo tha se dita e sotme ishte një "zgjim i hidhur" dhe se perëndimi nuk ka reaguar me vendosmëri. 

"Për Evropën dhe të gjithë botën demokratike, ishte një zgjim i hidhur. Për shkak të vetëkënaqësisë, plogështisë, Evropa dhe SHBA-të, nuk kanë reaguar me vendosmëri. Shikimi si i painteresuar për të mbrojtur partnerët, çoi në agresivitetin e rritur të Rusisë.
Sot kemi epokë të re fatkeqe të konfrontimit, të rivalitetit të fuqive të mëdha dhe me shumë gjakderdhje në Ukrainë.
Shpresoj të jetë një ndërgjegjësim për të parë nga vetja, në përgjithësi, për të parë politikat e sigurimit dhe buxhetet tona", tha ndër të tjera Pollo. 

Lidhur me sanksionet e vendosura nga Perëndimi, Pollo deklaroi se ato janë të shkallëzuara dhe kemi një luftë propagandistike "për të fituar mendjet dhe zemrat". 

"Me sa po ndjekim, sanksionet janë të shkallëzuara. Sa më shumë shkallëzon agresioni, aq më shumë shkallëzohen sanksionet. Për të treguar që nuk është NATO që provokoi, se kjo ishte lejtmotivi i propagandës ruse. Këtu është një luftë propagandistike për të fituar mendjet dhe zemrat. Agresioni mizor i Putinit doli në pah dhe ishte i kuptueshëm", deklaroi ai.