AKTUALITET, 21 Qershor 2026, 21:44

Dita e 22-të, sërish mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, pjesëmarrje e lartë nga diaspora (VIDEO)

Dita e 22-të, sërish mijëra protestues kërkojnë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dita e 22-të e protestës qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës dhe klasës politike, ka sjelle nje numër të madh pjesëmarrësish.

Me mijëra qytetarë të mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej” kanë nisur marshimin e tyre drejt bulevardit kryesor për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë.

Ndërkohë, thirrjet e protestuesve vijojnë të jenë për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“Për të realizuar proceset demokratike, diaspora do të jetë aleati më i fortë. Dorëheqja e Edi Ramës është hapi i parë, qeveria teknike hapi i dytë dhe proceset demokratike hapi i tretë”, tha protestuesi.

"Ramën ne e kemi vendosur dhe ne do e heqim", shtoi një grua.


Një protestues propozoi që Shqipëria të ndjekë shembullin e Hungarisë që asnjë kryeministër mos të mbajë më shumë se 2 mandate.

“Propozoj të ndjekim shembullin e Hungarisë dhe asnjë kryeministër mos të ketë më shumë se 2 mandate. Autokracia s’do të ketë më vend në Shqipëri!”, tha ai.
As Berisha s'mundi t'i shpëtonte kujtesës së protestuesve që sollën ndërmend "21 janarin."

"Duam drejtësi, thërrasim SPAK! Kërkojmë drejtësi!”, tha një protestues.

Menjëherë pas përmbylljes së mesazheve nga podiumi, mijëra protestuesit e mbledhur janë rreshtuar për të nisur një marshim përgjatë rrugëve kryesore të Tiranës.

Turma, e cila tashmë është shtrirë në një gjatësi kilometrike, po lëviz nën monitorimin e forcave të rendit dhe me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit.