TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 87.7 miliardë lekë gjatë vitit 2025, me një rritje prej gati 18% krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat nga Ministria e Financave konfirmojnë se Tirana vijon të dominojë hartën e financave vendore, duke përqendruar më shumë se një të tretën e të gjitha shpenzimeve të bashkive në vend. Por përtej rritjes së fondeve, raporti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po përdoren këto para.
Pesha e shpenzimeve
Tiranë – 35.7%
Durrës – 5.0%
Kamëz – 4.3%
Fier – 3.9%
Elbasan – 3.8%
Shkodër – 3.5%
Vlorë – 3.2%
Lezhë – 2.4%
“Vetëm gjatë dy muajve të fundit të vitit 2025 vërehet një zhvillim jo normal i trendit të shpenzimeve, ku është realizuar një shumë prej rreth 21.4 miliardë lekë, ose 24.4% e totalit të shpenzimeve vjetore të pushtetit vendor. Ky përqendrim i lartë i shpenzimeve në fund të vitit sinjalizon dobësi në planifikimin dhe menaxhimin buxhetor, si dhe rrit rrezikun për eficiencë të ulët të përdorimit të fondeve publike.”
Shifrat tregojnë se problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e shpenzimeve, por edhe me strukturën e tyre. Pothuajse gjysma e buxhetit vendor, ose 46%, shkon për paga dhe sigurime shoqërore, ndërsa investimet përbëjnë vetëm rreth 22% të totalit.
Edhe pse fondet për investime janë rritur krahasuar me vitin 2024, ato mbeten dukshëm më të ulëta se shpenzimet për administratën dhe kostot operative.
Struktura e shpenzimeve vendore
Paga dhe sigurime – 46%
Shpenzime operative – 25%
Investime – 22%
Të tjera – 7%
“Në shumë bashki të vogla dhe të mesme, shpenzimet për paga dhe operative zënë më shumë se 60% të buxhetit, ndërkohë që në bashkitë e mëdha ky raport është më i ulët. Aktualisht vetëm 18%-20% e shpenzimeve vendore shkojnë për investime kapitale, pjesa tjetër për paga dhe shpenzime operative.”
Megjithatë, raporti evidenton edhe anën pozitive të zhvillimit të financave vendore. Investimet janë rritur me 4.4 miliardë lekë në një vit dhe bashki si Tirana, Durrësi apo Elbasani arrijnë të dedikojnë një pjesë më të madhe të buxheteve të tyre për projekte zhvillimore./tvklan